E Diel, 1 Nëntor 2026

Fermeri në Cërrik, kontribut në zinxhirin lokal të prodhimit bujqësor dhe blegtoral

TIRANË, 17 dhjetor /ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ndau sot historinë e Ilirian Trokës nga fshati Shalës, bashkia Cërrik, i cili prej rreth një viti i është përkushtuar blegtorisë, duke ngritur një fermë me 20 krerë lopë.

Ilirian Troka synon zgjerimin e fermës përmes kultivimit të foragjereve, jonxhës dhe drithërave, me qëllim mbulimin e nevojave ushqimore të tufës. Qumështi i prodhuar dorëzohet në baxho, duke kontribuar në forcimin e zinxhirit lokal të prodhimit bujqësor dhe blegtoral.

Ilirjani tregon se ka një vit e gjysmë që ka ngritur fermën e tij. Prodhimin e qumështit ai e tregton në baxhot grumbulluese, ndërsa punojnë familjarisht në kujdesin ndaj kafshëve.

“Synimi im është ta zgjeroj këtë fermë edhe me një tjetër për mbarështimin e të imtave”, tha ai.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural vijon të ketë në fokus hartimin dhe zbatimin e politikave në mbështetje të fermerëve dhe bujqësisë, përmes skemave të mbështetjes së investimeve dhe garancisë sovrane për kreditimin e bujqësisë me interes 2%. Këto masa synojnë të nxisin zhvillimin e mëtejshëm të sektorit, i cili angazhon mbi 45% të popullsisë aktive në vend.

/e.xh/r.e/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›