E Diel, 1 Nëntor 2026

Fesivali lirik në Korçë, “Tefta Tashko Koço”, erdhi në ecidionin e tij të parë

Në qytetin e Korçës u zhvillua Festivali Mbarëkombëtar i Këngëtarëve Lirikë “Tefta Tashko Koço”, një aktivitet i rëndësishëm kulturor që u rikthye pas një ndërprerjeje të gjatë që prej viteve ’80, duke sjellë një frymë të re në artin lirik shqiptar. I frymëzuar nga figura e Tefta Tashko Koço, festivali u shndërrua në një urë lidhëse mes traditës dhe brezit të ri të artistëve.

“Ne i rikthehemi një tradite të nisur dikur në vite 80 ditë kur emra të jashtëzakonshëm të mëvonshëm të skenës shqiptare u evidentuan dhe më pas bënë histori në skenat shqiptare dhe jashtë saj si Edit Miali apo Inva Mula dhe ne po e sjellim këtë në kontekstin e të rinjve. Është hera e parë që organizohet dhe është shumë e rëndësishme që të krijohet tradita”, u shpreh Petrika Tollkuci, Kryetar i Këshillit të Qarkut Korçë.

“Japin mundësi komunikimi dhe bashkëpunimi jo vetëm midis nxënësve, por dhe midis mësuesve të tyre, të cilët përcjellin përvojat më të mira me njëri-tjetrin”, tha Ilir Zguri, Drejtor i Shkollës së Mesme Artistike “Tefta Tashko Koço” Korçë.

Në këtë edicion morën pjesë disa këngëtarë të rinj nga shkollat artistike të qyteteve të ndryshme të Shqipërisë, përfshirë Korçën, Tiranën, Shkodrën, Vlorën, Durrësin dhe Elbasanin. Ata interpretuan arie të njohura operistike, romanca dhe këngë tradicionale shqiptare, duke dëshmuar nivel të lartë artistik dhe përkushtim ndaj muzikës klasike.

Programi artistik u pasurua edhe me interpretimin e një kuarteti instrumentistësh nga Korça, të cilët sollën një përpunim të veçantë të muzikës shqiptare.

Në përfundim të mbrëmjes, pjesëmarrësit u vlerësuan me certifikata nga Këshilli i Qarkut Korçë, ndërsa organizatorët theksuan synimin për ta kthyer këtë festival në një traditë të përvitshme në shërbim të promovimit të artit lirik në vend.

Gazetare: Geralda Manushi

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›