Festa dhe festja
• Edmond TupjaNuk ka as më të voglin dyshim që të gjithë shqiptarët, të rritur e të vegjël, e dinë fort mirë kuptimin e fjalës “festë”, prandaj nuk e gjykoj të nevojshme t’i drejtohem fjalorit të gjuhës shqipe për t’u kujtuar atyre përkufizimin e saj të saktë. Sidoqoftë, për ne të gjithë, bija e bij të Shqipes, fjala “festë” është sinonim i fjalëve “qejf”, “aheng” e “gallatë”.Të gjithë në Shqipëri, të pasur e të varfër, i pëlqejnë festat, pra, qejfet, ahengjet e gallatat; e kush nuk do, në fund të fundit, të argëtohet, të dëfrehet, të zbavitet? Të hajë e të pijë, të kërcejë, të... dhe të...? Qoftë duke marrë edhe para borxh. Kështu ka ndodhur, ndodh e do të ndodhë sidomos para e gjatë festave të fundvitit: gëzojmë, ndër të tjera, që e hodhëm apo e shtymë edhe një vit, duke harruar apo duke bërë sikur harrojmë që na mbetet edhe një vit më pak për të jetuar, pra, për të bërë qejf, aheng e gallatë me raste festash laike apo fetare, familjare apo zyrtare.Po kështu ngjau edhe para e gjatë festave të vitit që sapo përcollëm. Tërë vitin e vitit, shqiptarët, në mos të gjithë, shumica e tyre, u ankuan se jeta ishte shtrenjtuar, se të ardhurat u ishin pakësuar, se nuk u mjaftonin rrogat, se jetonin me borxhe e lista nëpër dyqane, çka duhet të jetë, madje është e vërtetë. Tërë vitin e vitit, ata u ankuan e shanë qeverinë, ministrat e kryeministrin, situatën ekonomike botërore e kontekstin politik rajonal (dhe unë e kuptoj zemërimin e tyre), por, ama, për festat e Kurban Bajramit, të Krishtlindjeve dhe të Vitit të Ri, u dyndën dyqaneve, tregjeve, supermarketeve dhe blenë e ç’nuk blenë! Gjela e pula (deti apo fushe), mish viçi apo qingji, peshk, byrekë, bakllava e kadaif, sheqerpare e tullumba, verë, birrë e raki etj., etj., pa folur për dhuratat tradicionale dhe veçanërisht shashkat e fishekzjarrët.Mirëpo festa është si dardha: e ka bishtin prapa. Nëse më lejohet, unë do ta ndryshoja paksa këtë shprehje proverbiale të popullit tonë qejfli, por realist, gjithsesi. Do të thosha: festa e ka festen prapa. Por shumëkush, sidomos nga brezi i ri, mund të mos e dijë se ç’është festja. Atëherë po e shpjegoj shkurtimisht. Sipas fjalorit të gjuhës shqipe, botim i vitit 2006, festja është një “kësulë burrash prej cohe a prej pëlhure; kësulë burrash prej cohe të kuqe(në disa vende të Lindjes së Afërt apo të Afrikës Veriore)”. Le të kthehemi tani tek shprehja jonë paksa e ndryshuar: festa e ka festen prapa. Në prag të festës, njerëzit vijnë vërdallë për të bërë pazare të ndryshme, sipas kuletës e sipas dëshirës; një pjesë prej tyre i shtrijnë këmbët sa kanë jorganin, të tjerët, që nuk janë pak si numër, besomëni, i shtrijnë ato jo vetëm jashtë jorganit, por edhe përtej shtratit. Pikërisht këtyre të fundit, pas festës, u vjen festja vërdallë për të larë borxhet apo për të rivendosur baraspeshimin në buxhetin familjar. Por, do të më pyesin më të rinjtë, ç’do të thotë të të vijë festja vërdallë? Këtë na e sqaron përsëri fjalori i gjuhës shqipe kur na shpjegon kuptimin e kësaj shprehjeje: të jesh “në gjendje shumë të vështirë ose shumë i ngarkuar me punë dhe s’di ç’të bësh më parë”. E shihni, pra, sesi nga njerëz që vijnë vërdallë festës, ata kthehen në njerëz të cilëve u vjen festja vërdallë? Rrjedhimisht, është e qartë që shprehja ime “festa e ka festen prapa” nuk qenka pa kuptim aq më tepër që mbështetet në realitetin e sotëm shqiptar!Së fundi, për t’i siguruar dhe qetësuar sado pak njerëzit e çoroditur nga festat e këtij fundviti, dua të nënvizoj se festja nuk u vjen vërdallë vetëm atyre, por edhe të fuqishmëve, të mëdhenjve, vipave të këtij vendi. Dhe jo vetëm me raste festash. Për të gjithë ne, vdekatarë të këtij dheu, nga kemi dalë e ku do të kthehemi, të mos harrojmë, dardha e ka bishtin prapa, festa e ka festen prapa, qejfi e ka qenefin prapa. Ah! - do të psherëtini ju, të brezit të ri, prapë një fjalë që nuk e dimë; ç’është ky..., si e thatë, zotëri, qenefi? Ju kërkoj të falur për këtë fjalë të vjetër me zanafillë, më duket, osmane. Në shqipen e sotme, do të thoshim, duke ruajtur aliteracionin, “hareja et ka... halenë prapa”.