Festa e Fiter Bajramit, kreu i Komunitetit Mysliman uron besimtarët

Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar Haxhi Selim Muça, ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë gëzuar Fitër Bajramin. “Mbas një muaji agjërim për hir të Zotit unë lutem që kjo festë të sjellë në shtëpitë tuaja gëzim, harmoni dhe begati”, thuhet në urimin e z. Muça.
Urimi i plotë i z. Haxhi Selim Muça:
“Tashmë po dalim nga muaji më i dashur dhe miku më i njohur ndër myslimanët – Ramazani, muaji i agjërimit, mëshirës, lutjeve; muaji i shpalljes së Kuranit, muaji në të cilin nuk u kursye ndihma dhe favori hyjnor.
Nesër është Bajram dhe me këtë rast i uroj të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë kudo qofshin, gëzuar Fitër Bajramin. Paqe, lumturi dhe gëzim sjelltë në familjet tuaja.
Bajrami është festa më e dobishme dhe më e bekuar për myslimanët. Festimi i ditëve të Bajramit i inkurajon myslimanët për angazhime të mëtejshme dhe krijimin e një të ardhme më të mirë e më të lumtur. Kremtimi i kësaj feste i jep myslimanëve një emocion të veçantë, një frymë të re, një zell të ri në punët e tyre fetare dhe të kësaj bote.
Urimet dhe vizitat e Bajramit janë tradita të vyera të popullit tonë, të cilat kanë lënë gjurmë të thella e të pashlyeshme. Nisur nga kjo, le të shërbejnë këto ditë feste për më shumë mirësi, afrimitet, paqe dhe dashuri mes njëri-tjetrit, në të mirë të shoqërisë, kombit dhe gjithë njerëzimit.
I uroj edhe njëherë besimtarëve myslimanë dhe gjithë shqiptarëve, ta jetojnë gëzuar këtë festë. Paçin mirësi e begati dhe Zoti ua pranoftë agjërimin dhe adhurimet që kanë kryer gjatë muajit të bekuar të Ramazanit.
Zoti e bekoftë kombin dhe atdheun tonë"