Festa e Shën Rrokut, procesioni dhe mesha mblodhën besimtarët në Shirokë

Festa e Shën Rrokut është kremtuar këtë të diel në Shirokë, duke mbledhur besimtarë të shumtë në një nga ngjarjet tradicionale të kalendarit fetar të zonës.
Kremtimet nisën në orën 09:30 me procesionin e trupores së shenjtorit. Besimtarët e shoqëruan atë përgjatë rrugëve të Shirokës, në një atmosferë lutjeje dhe përkushtimi.
“Është një festë e madhe për Shirokën. Unë jam nga ata që kam pasur edhe nënën prej këtij vendi dhe vij çdo vit. Për mua, kjo festë është e rëndësishme për një të krishterë, sepse mbart traditë, besim dhe kujtime të çmuara.”
“Festa përfaqëson shumë për ne. Sot e festojmë sepse shenjti Shnarrak ka bërë mrekulli. Me ndihmën e të Lumit Jezu Krisht, ai ka shëruar njerëzit nga sëmundjet dhe nga çdo e keqe. Kjo është arsyeja pse kjo ditë ka një domethënie të veçantë dhe mbetet gjithmonë e shenjtë për komunitetin tonë.”
Pas procesionit, u kremtua Mesha e Shenjtë, ku të pranishmit u bashkuan në lutje dhe nderuan figurën e Shën Rrokut.
“Ne nuk mund të përballojmë, nuk mund të jetojmë, nuk mund t’i japim përgjigje jetës sonë vetëm me forcat tona. Kemi nevojë për një dhuratë, kemi nevojë për një hir, që është prania e Zotit në jetën tonë.” – tha Fra Matteo Di Secli, famullitar i Shirokës
Festa u organizua nga fretërit minorë kapuçinë dhe riktheu në vëmendje një traditë fetare të ruajtur ndër breza. Shën Rroku nderohet në traditën katolike si mbrojtës i të sëmurëve dhe simbol i kujdesit ndaj njerëzve në nevojë. Kremtimi i 16 gushtit mbetet një moment i rëndësishëm shpirtëror për komunitetin e Shirokës dhe zonave përreth, duke bashkuar besimtarët rreth fesë, lutjes dhe traditës.
Gazetar: M. Gjini
/rtsh.al/