E Hënë, 2 Nëntor 2026

Festë me serenatat në Korçë, çdo fundjavë në sheshin e pazarit organizohen koncerte live

Muaji dhjetor është i ngarkuar me koncerte të shumta, organizuar nga Bashkia e Korçës. Një pjesë e aktiviteteve janë shfaqur në teatrin Andon Zako Çajupi, ndërsa edhe skena e ngritur në pazarin e vjetër vijon të ketë koncerte të shumta me këngë të njohura e kryesisht ato korçare.

Paraditen e së shtunës në këtë skenë kanë performuar Panajot dhe Boni Hamzallari, të cilët për më shumë se 60 minuta kanë sjellë për publikun këngët më të njohura të serenatës korçare.

“Jam shumë i lumtur sepse më pëlqen të këndoj serenata, sepse unë jam rritur me to. Por kur je në qytetin tënd dhe kur të mbështesin njerëzit, ndihesh shumë i kënaqur. Vërtet ishte ftohtë sot, por ngrohtësia që na dha publiku ishte ajo që na kënaqi shpirtin,” u shpreh këngëtari Panajot Hamzallari.

Turistët dhe vizitorët e shumtë që kanë zgjedhur Korçën për të kaluar fundjavën janë ndalur për të dëgjuar koncertin. Në ditët në vijim do të ketë të tjera koncerte e shfaqje në pazarin e vjetër dhe në teatër, për të arritur kulmin në natën e ndërrimit të viteve me koncertin e madh ku do të jenë të pranishëm Lind Islami dhe Venera Lumani.

Gazetare: Kostanca Koçi

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›