E Diel, 1 Nëntor 2026

Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë, Pogradeci mirëpret artistë dhe prodhime kinematografike nga i gjithë Ballkani

Në Pogradec ka nisur edicioni i 16-të i Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të verës. Për pesë ditë me radhë, publiku do të ketë mundësi të ndjekë mbi 60 filma nga vende të ndryshme të Ballkanit, duke e kthyer qytetin në një pikëtakim të artistëve dhe dashamirësve të kinemasë.

“Këtë vit festivali sjell sërish filma të rinj. Do të shohim histori dhe ngjarje nga shtetet e Ballkanit. Besojmë se ndajmë të njëjtën histori, por njëkohësisht do të shohim edhe se çfarë ka ndodhur dhe si janë frymëzuar artistët gjatë këtij viti në prodhimet e tyre të reja”, thaGerta Qyrku, oragnizatore.

“Filmi “Komisari i Dritës” mbush 60 vjet nga premiera e tij dhe ne do ta shfaqim këtu, në shesh, për të kujtuar Rikard Ljarja, Dhimitër Anagnosti dhe Viktor Gjika, të cilët janë realizuesit e filmit. Po ashtu, do të shfaqim edhe dokumentarin “Rikard”, të realizuar nga Mevlan Shanaj.”, tha organizatori Eno Milkani.

Festivali ka mbledhur në Pogradec artistë dhe personalitete të njohura nga Shqipëria, Kosova dhe vende të tjera të rajonit, të cilët e vlerësojnë këtë aktivitet si një urë komunikimi për artin dhe kulturën ballkanike.

Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë do të vijojë deri më 27 qershor, duke sjellë në Pogradec filma, takime artistike dhe aktivitete që promovojnë kulturën dhe traditat e vendeve të Ballkanit.

Gazetare: E. Xhindole

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›