Festivali Letrar Ndërkombëtar për të Rinj “Tirana Gate 2025”

TIRANË, 8 tetor /ATSH/ Nisi sot në Tiranë, Festivali Letrar Ndërkombëtar për të Rinj “Tirana Gate 2025”.
Edicioni i 11-të i këtij festivali letrar do të zhvillohet përgjatë tri ditëve (8, 9 dhe 10 tetor) me temën: Mesdheu dhe Evropa në Letërsinë Bashkëkohore.
Festivali nisi një dekadë më parë si konkurs mes të rinjve. Në këtë edicion do të kenë zë dhe vargjet poetike që vijnë nga Palestina.
Drejtoresha e festivalit, Irena Toçi u shpreh në ditën e parë të aktivitetit se, u vendos që festivali të kishte si bosht Mesdheun, jo thjesht duke iu referuar një hapësire gjeografike së cilës ne i përkasim, por sepse Mesdheu është një kujtesë e përbashkët, një mozaik kulturash, nyje takimesh dhe shpeshherë edhe përplasjesh, një teatër i hapur ku breza të tërë kanë interpretuar dramën e jetës së tyre.
Festivali Tirana Gate 2025 mirëpret këto tri ditë në Liceun Artistik 7 autorë të huaj, të cilët do të diskutojnë në panelet dialoguese, po aq sa edhe do të përcjellin në gjuhët e tyre, veprën.
Irena Toçi falenderoi të gjithë autorët, të rinj e të karrierës, shqiptarë dhe të ftuar nga Suedia, Italia, Turqia, Greqia, Serbia, Mali i Zi dhe Kosova që iu përgjigjën ftesës për këtë festival.
/r.e/a.f/