E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festivali i Teatrit, “Dikush duhet të vdesë” në Apollon

Festivali Ndërkombëtar i Teatrit “Apollon” zhvillon edicionin e tij të 10-të, një përvjetor që e ka gjetur disi në vështirësi festivalin e teatrove. Gjithsesi edhe pse i reduktuar krahasuar me vitet e mëparshme, në edicionin e këtij viti do të ngjiten në skenë 6 trupa teatrore nga Shqipëria, Greqia, Rumania dhe Kosova. Festivali u çel me komedinë “Dikush duhet të vdesë”, me regji nga Pëllumb Kulla, regjisori i “shtëpisë” në Teatrin Bylis të Fierit. Ndërkohë që në ditët në vazhdim do të vijojnë të shfaqen “Salla e banjës”, me regji të Inis Gjonit, që vjen si prezantim i Teatrit Kombëtar. Teatri i Metropolit do të konkurrojë me komedinë “Le të bëjmë seks”, me regji nga Elma Doresi, një shfaqje që pati sukses në dy sallat kryesore të kryeqytetit, Teatrin Kombëtar dhe Teatrin Metropol, jo vetëm për talentin e aktorëve dhe të regjisores Dorezi, por edhe për titullin “joshës” që sillte publikun në sallë. Ndërkohën nga trupat e huaja pjesëmarrëse në këtë festival është trupa greke që vjen me shfaqjen “Kasandra”, trupa me aktorët kosovarë që përfaqësohet me teatrin eksperimental nga Estref Begolli, ndërsa nata e fundit që do të jetë në Apoloni do të ngjisë në skenë trupën rumune me shfaqjen “Uji i Havelit”. Në fund të Festivalit, juria ndërkombëtare e përbërë nga regjisori rumun Goru Motok, regjisori dhe aktori shqiptar Alfred Trebicka dhe kritiku i artit Josfi Papagjoni do të ndajnë çmimet e këtij festivali. Edhe këtë vit do të ketë dy çmime, ai për aktoren dhe aktorin më të mirë protagonist, si dhe çmimi për aktorin dhe aktoren më të mirë joprotagonist. Skenat e festivalit janë salla e teatrit “Bylis” në qytetin e Fierit si dhe në amfiteatri i qytetit antik të Apolonisë, në varësi të karakterit të shfaqjes. Festivali Ndërkombëtar i Teatrit “Apollon” është tashmë një festival ku ballafaqohen vlerat më të mira të mjeshtërisë aktoriale si dhe një mundësi afirmimi i talenteve të reja.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›