Festivali i Tretë Folklorik në Dervician, marrin pjesë 20 grupe folklorike nga Shqipëria dhe Greqia

Fshati më i madh jo vetëm i Dropullit, por i gjithë minoritetit etnik grek, priti një tjetër eveniment folklori dhe veshjesh tradicionale popullore.
20 grupe folklorike nga Greqia dhe Shqipëria u bënë pjesë e Festivalit të Tretë të Këngëve dhe Valleve Popullore, që e organizon shoqata kulturore “Dervi”. Aktiviteti mbështetet edhe nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Bashkia e Dropullit, si dhe nga Konsullata e Përgjithshme e Greqisë në Gjirokastër.
“Jemi shumë krenarë që e arritëm. Dy ditë, Derviciani jetoi nën ritmet e Festivalit të Tretë të Këngëve dhe Valleve Tradicionale, duke sjellë traditën e krahinave të tyre, duke i dhënë jetë fshatit, por edhe gjithë Dropullit. Me këtë entuziazëm që kemi, patjetër që do të ketë edhe festivale të tjera,” tha Kostando Baruta Ksera, kryetarja e shoqatës “Dervi”.
Ceremonia e nderimit të emblemës së veshjeve popullore dropullite u prit me emocione të forta nga të pranishmit. 86-vjeçarja Kaliroi Diamanti i ka kushtuar gjithë jetën e saj qepjes së kostumeve popullore.
Ansambli “Libohova” gjatë javëve të fundit ka qenë pjesëmarrëse në disa aktivitete artistike, si në Greqi, ashtu edhe në zonat minoritare.
“Është një nder i madh për ne që të jemi këtu për një herë të dytë. Ky festival mendoj se do të na rrisë nga ana kulturore, tradicionale, por edhe shpirtërore,” u shpreh Aila Hide nga Ansambli “Libohova”.
Aktivitetin e përshëndeti edhe kryetari i Bashkisë Dropull, Dhimitraq Toli, i cili shprehu mbështetjen e institucionit që drejton për të gjitha aktivitetet e ringjalljes së traditës popullore.
Gazetar: Kristaq Xha
/rtsh.al/