“Festivali i Verës Merano”, Veliaj: Tradita italiane zbarkon në kryeqytetin shqiptar

“Festivali i Verës Merano”, një traditë italiane do të zbresë këtë vit në kryeqytetin shqiptar, në fundjavën e 11 dhe 12 majit. Ekspertë, prodhues të verës dhe vizitorë të shumtë do të takohen në këtë aktivitet gastronomik ndërkombëtar.
Erion Veliaj gjatë takimit me organizatorin e këtij eventi, vuri theksin te nevoja e promovimit të produkteve vendase.
“Mezi pres që Bashkia e Tiranës, Ministria jonë e Bujqësisë, të gjithë të bashkëpunojmë, për të promovuar Festivalin e Meranos, me destinacion Tiranën, me produktet tona dhe sigurisht që do të ftojmë të gjithë operatorët dhe ata që kanë investuar jetën këtij pasioni dhe kësaj dashurie”, tha Erion Veliaj.
Ndërsa organizatori Helmuth Köcher shprehu bindjen se eksperienca disavjeçare e “Festivalit të Verës Merano” do të japë frytet e saj edhe në Shqipëri.
“Edhe nga ana ime, një përshëndetje nga qyteti i Meranos, me festivalin e verës, të cilin unë e kam krijuar që nga 1992, para 32 vitesh. Jam krenar dhe i kënaqur që po e çojmë përpara këtë eksperiencë këtu në Shqipëri për të krijuar diçka vërtet të rëndësishme”, tha Helmuth Köcher.
Veliaj në shenjë mirënjohje u dhuroi organizatorëve një manual të transformimit të Tiranës.