E Hënë, 2 Nëntor 2026

Festivali i artit “Gjon Mili”, edicioni i tretë nis në Korçë dhe kulmon në Nju-Jork

Nisi në Korçë, fesivali ndërkombëtar i artit “Gjon Mili”, një festival inovativ me fokusin te video-arti.

Krijuar në nder të Gjon Milit, artistit dhe fotografit të njohur për teknikat e tij eksperimentale, festivali bën bashkë artistë, kineastë dhe audiencë nga e gjithë bota.

Programi i tij i pasur përfshin ekspozita video-arti, shfaqje filmash, duke nxitur shkëmbimin kulturor dhe duke frymëzuar perspektiva të reja krijuese.

Për tri ditë me radhë, ndërtesa që mban emrin dhe trashëgiminë e mjeshtrit të dritës do të shndërrohet në një hapësirë të gjallë ku video-arti fton në një përvojë ndërmjet imazhit, kujtesës dhe eksperimentit vizual.

Më pas në tri ditët e para të shtatorit, edicioni do të zhvillohet edhe në fshatin e vjetër të Dhërmiut, mes mureve të shtëpive të vjetra dhe nën qiellin e yjeve të pafundme.

Festivali kulmon në Manhatan, aty ku emri i Gjon Milit preku majat e karrierës.

Në zemër të Nju-Jorkut, nga 26–28 shtator, festivali përmbyllet me një natë dedikuar artistëve fitues dhe me një program treditor të artistëve të përzgjedhur, përzgjedhje që reflekton thelbin e këtij edicioni, dritës si materie e ndjeshme lëvizëse dhe transformuese.

Gazetare: Jonela Sagajeva

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›