E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fetaro-laikja, mes humanizmit dhe autoritarizmit!

Për 1944 vite antropologjia jonë ka qenë nën tri perandori, atë romake, bizantine dhe turkoosmane. Tek e para njohëm dhe përvetësuam katolicizmin, tek e dyta ortodoksizmin, tek e treta islamizmin. Në perandorinë romake Cezari dhe zoti ishin të ndarë. Në atë bizante, zoti ishte ndihmësi i Cezarit, dhe në perandorinë osmane, Cezari (Sulltani) ishte mëkëmbësi i zotit në tokë. Ky raport themelor ka përcaktuar edhe marrëdhënien e besimtarit me shtetin, autoritetin dhe tempullin. Prej këtyre marrëdhënieve bashkë me ritualin fetar ka qenë krijuar praktika e të sjellurit dhe bota shpirtërore që e bashkëshoqëronte atë. Ndjenjat fetare apo jo të tilla, krijohen, veprojnë, drejtojnë ose pengojnë si të komanduara nga autoritetet që shpeshherë kanë qenë shtetërore, por për antropologjinë tonë, së paku qysh nga ‘740-ta e erës sonë, kur mbetëm përfundimisht nën Bizantin, autoritetet kanë qenë fetaro-shtetërore. Po ç’ndodh në vetëdijen dhe pavetëdijen e njeriut?

Ndjenjat fetare autoritare burojnë nga faktorë që sigurojnë aspektin ekzistencial të individit e kolektivave të manipuluara mendërisht. Si i tillë, ky lloj mëkimi me autoritarizëm e nënshtrim nuk përcaktohet nga lloji i besimit, por nga kushtet në të cilat jetohet, nga niveli kulturor i antropologjisë dhe individit të saj besimtar. Historia e fesë na jep një mori shembujsh të një varësie të tillë të ndjenjave fetare nga struktura shtetërore e sociale. Karakteri autoritar i vjen fesë nga jashtë saj, nga ata që e bëjnë zyrtare, nga shtresat e pasura sunduese, nga njësimi me pushtetin. Ajo bëhet e tillë kur keqpërdoret për të realizuar politika të caktuara, që vetëm petkun e kanë fetar, ndërsa qëllimet lidhen me marrëdhëniet politike e ato të tregut, cilido qoftë ai, një treg i ngushtë rajonal apo edhe më i gjerë global. Për antropologjinë shqiptare, ku më se një herë kemi parë që feja ka ardhur bashkë me pushtuesin, nuk ka se si të ndodhte ndryshe, që në këto lloj besimesh të mos sundonte tërësia e ndjenjave imponuese prej sundimtari, fitimtari, autoritaristi. Kur feja u bë sunduese, ajo i nxiti njerëzit të udhëhiqeshin nga kjo klimë ndaj njëri-tjetrit brenda antropologjisë ose ndaj të tjerëve në tregun e punës së asaj kohe: në ushtri, në administratë dhe në institucionet fetare. “Në shoqëritë e drejtuara nga një pakicë e fuqishme, e cila i mban masat në nënshtrim, individi do të jetë aq i pushtuar nga tmerri, aq i paaftë për ta ndjerë veten të fuqishëm e të pavarur, sa edhe ndjenjat e tij do të jenë autoritare.”

Kjo ndodh edhe kur shoqëria është fetare, por edhe kur mund të jetë forcërisht ateiste, si edhe ndodhi gjatë periudhës komuniste në Shqipëri, kur pas vitit 1967 u mbyllën me vendim politik të gjitha institucionet fetare. Ushtrimi i besimit u cilësua veprim i paligjshëm, pjesë e propagandës antisocialiste e antishtet dhe dënohej nga Kodi Penal mjaft rëndë, me heqje lirie.

Në të dyja rastet kemi ideologjizimin e dhunshëm të antropologjisë dhe mistifikimin e saj përmes nënshtrimit me besim kolektiv. Çdo largim prej këtij rreshtimi merrte trajtën e një tradhtie individualiste, e cila duhej ndëshkuar, neveritur e përçmuar. Është për këtë arsye që gjyqet e inkuizicionit dhe ato të sistemit komunist ngjajnë. Po të kthehemi pak pas në histori do të gjejmë edhe provën e sundimit të pakicës së fortë që pjell tmerrin dhe autoritarizmin, si sundim absolut të atij që është më lart në hierarki e që shoqërohet me frikën dhe nënshtrimin e atij që është më poshtë. Të njëjtin mekanizëm përdor ky në raport me atë që ka nën vete, e kështu me radhë. Krijohet piramida e frikës së institucionalizuar. Mbetet pa këtë funksion në shoqëri pjesa më e varfër dhe më e prapambetur e antropologjisë, e pashkolluara dhe e vobekta.

Ky mekanizëm i autoritarizmit te këta njerëz zë vend në marrëdhëniet familjare dhe fisnore.
Ndjenjat autoritare kanë trajtën e klimës universale, të moralit shoqëror dhe historik, si dhe të mekanizmit të sjelljes së përditshme. Paternalizmi ndaj fëmijëve dhe dhuna ndaj gruas janë forma komandimi, ndërsa urdhri i pleqve është trajtë e autoritarizmit që merr forma të moralit tradicional. Ndaj fëmijëve dhe brezit të ri edukimi me frikën dhe ndëshkimin trajtohet si plazmimi i vlerave antropopsikike, për të përballuar jetën dhe mekanizmin shoqëror.
Ky xeheror psikik dhe etik ka ardhur deri në ditët tona dhe e mban të pushtuar ndërgjegjen, jo vetëm të njerëzve të zakonshëm, por edhe të shtresave të tjera të shoqërisë.

Kapërcimi i këtij realiteti lidhet me lënien pas të një tabuje tradicionale, mungesa e së cilës mund të krijojë një boshllëk që do kohë të mbushet me një tjetër moral dhe filozofi jete.

Shqiptarëve u pëlqejnë si marrëzitë kolektiv, ashtu dhe përgjegjësitë kolektive. Gjetja në një vorbull të tillë i shpëton nga përgjegjësia personale dhe fsheh dobësinë individuale për ndryshim. Liria individuale, karriera, personaliteti, sfidimi, oponenca, dalja kundra rrymës duken për ta, si shprehje e një psikologjie dhe edukate jo tradicionale, jo shqiptare dhe prishëse e psikologjisë së turmës me prijësin si baba shpirtëror dhe strehë mbrojtëse.
Në këto rrethana ballafaqimi, njerëzit kënaqen gjithnjë me epshin e ndëshkimit të sfidantit, duke e parë atë si kurbanin e radhës. I nevojshëm për ta siguruar ecurinë në të njëjtën rrugë të kolektivizmit, që drejtohet nga autoritarizmi i kulteve të fetishizuara, lënia e sovraniteteve peng në këto marrëdhënie arkaike është një formë tipike e turmës uniforme. Tek një fe humaniste qëllimi i njeriut është arritja e fuqisë më të madhe, dhe jo e pafuqisë më të madhe. Si virtyt është vetërealizimi dhe jo nënshtrimi. Kjo ka të bëjë me mbajtjen apo jo të sovraniteteve individuale dhe qytetare. Mungesa e vizionit, pafuqia ideore e ekonomike, kulturat e shterpëta religjioze e sjellin individin, familjen apo komunitetin e cunguar fisnor në pozicione përunjësie, pafuqie, lypësie dhe nënshtrimi të verbër. Individi vjen gati i denatyruar, si dinjitet njerëzor. Besimi, në rastin e humanizmit fetar, paraqet në vetvete bindjen e vendosur, të bazuar në përvojën individuale të arsyetimeve dhe ndjenjave. Njohja, vlerësimi, qëndrimi individual e veprimi janë në koherencën e bindjes për ndryshim, dhe kuptimit se jeta dhe shoqëria kanë ligjet e rregullat e tyre, jo hyjnore, jo fetare, jo imponuese. Ato duhen njohur dhe respektuar.

Pranohet me bindje karakteri civil dhe laik i shoqërisë, pavarësisht se masa dërrmuese antropologjike mund të jetë e lidhur edhe me religjionet. Në rastin e dytë individi, nën peshën e autoritarizmit religjioz, vuan nga pranimi i gjykimeve që vijnë nga jashtë dhe kanë trajtën e kultit të një autoriteti që nuk pranon diskutim. Në këto rrethana, vlerësimi për familjen, individin, shoqërinë, marrëdhëniet, bile edhe ato me shtetin dhe institucionet e tij, do të duhet t’u nënshtrohet arsyetimeve të gatshme që vijnë më shpesh nga organizatat religjioze abuzuese, të cilat citojnë jashtë koherencës librat e shenjta apo leximet e cunguara jashtë kontekstit të tyre. Individi në këtë rast humb çdo lloj sovraniteti, edhe atë të të gjykuarit për veten dhe raportet me shoqërinë. Skema e gatshme, e sjellë në trajtën e mekanizmit të kurdisur e të nënshtruar, në një fat që i dhurohet dhe nuk krijohet prej tij, si dhe shoqërisë ku ai jeton e vepron. Në rastin e një feje humanitare apo të humanizmit brenda një religjioni, si ndjenjë mbisunduese është gëzimi. Ai shpërfaqet si optimizëm, pasione pozitive që e udhërrëfejnë individin, si dashuri që dihet për kë shkon dhe si arrihet, si marrëdhënie në emër të jetës dhe prosperitetit, familjes dhe mbijetesës. Gëzimi njësohet edhe me mirëkuptimin, sepse ai nuk është hareja e individit të izoluar dhe pa kontakte, qofshin këto ndjenjësore apo antropomorfe, sociale apo individuale, konkrete apo historike. Ai është dialogu dhe arritja e marrëveshjes me veten dhe të tjerët, duke e pranuar individualitetin e gjithsecilit, si dhe duke mos denigruar askënd, vetëm se mendon ndryshe apo nuk është si ty në vlerësimet që i bën shoqërisë, familjes, moralit, traditave universale, apo i takon një besimi fetar ndryshe. Mirëkuptimi nuk është rënie dakord për gjithçka, por pranimi se jemi dakord për ato vlera dinamike që janë substanciale për qytetërimet, që vijojnë në udhët historike të traditave dhe vlerave universale të njerëzimit, pa bërë përjashtim racash, popujsh apo besimesh fetare. Gëzimi, si tipar i humanizmit religjioz, nuk mund të realizohet pa tolerancën dhe bashkëjetesën. Toleranca është tipari i subjektit të kulturuar, i cili nuk është i dhunuar dhe i deformuar nga injoranca, mungesa e kontakteve dhe pafuqia e interpretimit apo përjashtimi prej urrejtjes. Bashkëjetesa me tolerancën nuk mund të kuptohet si të qenit bashkë të izoluar me mure të pakapërcyeshme mesjetare, por si njohje reciproke për gjetjen e pikërëndesave të përbashkëta dhe detyrimeve ndaj antropologjisë, në emër të vlerave të përbashkëta, si jeta, progresi, kultura, zhvillimi social harmonik, çlirimi i energjisë pozitive të individit, përfshirja e tij në jetën e shoqërisë, si një qytetar që drejtohet nga ligji dhe rregulli.

Kur ndërgjegjja e individit besimtar kaplohet nga autoritarizmi që pjell ndjenjën e nënshtrimit dhe të fajit, të cilat pushtojnë gjithë vetëdijen e tij, e brenda saj nuk ka kurrfarë ndjenje tjetër, atëherë individi shndërrohet në një “i viktimizuar së gjalli”, pasi mozaiku i tij shpirtëror është në formën e zymtësisë e pesimizmit. Këto dy gjendje shpirtërore thajnë energjitë pozitive tek individi dhe e nxisin në veprime prishëse, duke mos e lënë të gëzojë qoftë edhe format e gatshme të ngazëllimit, si mund të jetë e bukura në natyrë, në art, në realitetet ndjenjësore antropologjike.

Është për këtë shkak që tek individët e viktimizuar si të tillë zënë vend përjashtimi, urrejtja, pasionet e verbra kundër jetës në tokë, të cilën e vlerëson të prishur, të dhunuar, të pavlerë.
Përjashtimi dhe urrejtja zakonisht drejtohen kundër atyre që besojnë një fe tjetër, të cilët nuk shihen si pjesë e popullit dhe kombit, por si pjesë e huaj e një kombi apo qytetërimi tjetër.

Pasionet e verbëta shkojnë deri te fetishizimi religjioz i toponimisë natyrore, kodrave apo majave të larta, ku vendosen simbole fetare që tregojnë se në këtë ambient gjeografik jeton ky antroporeligjiozitet. Nuk ka rëndësi se gjuha është nacionale, peizazhi natyror është pronësi e një komuniteti, pjesë e territorit të vendit, i cili nga natyra është Republikë Parlamentare dhe me Kushtetutë është shtet laik. Shteti dhe institucionet fetare janë të ndara, dhe ky raport është i ndërtuar e funksionon me ligj. “Në qoftë se fetë humaniste janë teiste, - nënvizon Fromm, - perëndia në to është simbol i fuqive vetjake të njeriut, të cilat ai synon t’i realizojë në jetën e tij, dhe jo simbol i dhunës dhe sundimit, i pushtetit mbi njeriun”. Të tillë e trajtonte Perëndinë, edhe poeti ynë kombëtar Naim Frashëri, pavarësisht se cilit besim ajo i takonte, mysliman apo i krishterë.

Feja teiste mund ta kryejë këtë mision kur konservon aspektin antropologjik, qoftë edhe të Zotit të vetëm, pavarësisht cili është ai, në besimin konkret. Kur propaganda fetare i mëshon gjithëfuqisë hyjnore, duke e lënë mënjanë apo duke keqpërdorur në interpretim elementin njerëzor te perëndia, në psikologjinë e individit ndodh vuajtja e nënshtrimit për atë që nuk mund të arrihet, qoftë edhe si imitim i shembullit që buron nga mësimet morale të perëndisë.
Frika se mos antropologjizimi i perëndisë mund të shpjerë në paganizëm, dehyjnizim të perëndisë apo njësim me njeriun, çka lëkund autoritetin imponues të saj, e largon njeriun nga edukimi etik si nxitës për veprim, pasi e përsosura shihet dhe gjykohet si idealja e providencës, e cila ekziston në qiell, dhe jo në tokë. Njeriu projektohet si i pafuqishëm në të gjithë jetën e tij.

Një klimë e tillë do të pengonte prodhimin dhe administrimin siç duhet të energjisë pozitive për ndryshim, që mund të lindte nga forma të tjera të ndërgjegjes shoqërore apo nga intuita e ndryshimit jetësor dhe rezultatet e dobishme praktike. Fuqia vetjake e njeriut të çliruar nga vargonjtë e nënshtrimit prej autoritarizmit religjioz shprehet tek ekzigjencat e tij në emër të paqes dhe lirisë, të cilat sillen në moral ideal dhe filozofi e jetës për të. Ai udhërrëfehet nga motivet për të çrrënjosur kultet e autoriteteve që predikohen nga çdo lloj pushteti fetar apo laik qoftë, shtetëror apo fisnor, nepotik apo i demokracisë kolektive të deformuar nga personalizimi posesiv apo shtrembërimi antihuman.

Ka shumë rëndësi aspekti socio-antropo-moral, i cili duhet njësuar me kultin e jetës dhe përmirësimit të saj për çdo individ, pa dallim apo përjashtim, as në kohë, as në hapësirë, as bazuar në racë, kombësi apo religjion, pa preferencë dhe kundërvënie. Të tria fetë në Shqipëri janë teiste, por cili është qëndrimi i tyre ndaj njeriut? Nëse ai është i ndryshëm, qoftë edhe formalisht në mekanizmin e arsyetimit, atëherë aleanca e bashkëjetesës lyp vigjilim dhe jo propagandë. Sepse struktura shpirtërore është plurale dhe jo homogjene, e dallueshme dhe e ndryshme, me rrënjë historike dhe e sendërtuar në tradita të jetës së përditshme, si dhe nën ambalazhin e mikroklimës provinciale. Problemi është brenda skemës ndjellëse për qëndrim të menduar dhe peshuar realisht. Njerëzit janë të ndarë në religjion e të bashkuar në popull dhe komb, i cili nuk identifikohet me fenë, si dhe ndodh ku ka një komb-një fe. Antropologjia është e ndarë në edukatën etike fetare dhe e gjithëpërfshirë në komunitetin ligjor e administrativ. Të dallueshëm në civilizimet historike e konkrete fetare, të detyruar për të bashkëjetuar brenda civilizimit qytetar sekular me autoritet demokratik ligjin. Si mund të bëhen këto dallime brenda ndërgjegjes së individit? Cili është instrumenti që vendos ekuilibrin, raportet, bashkëpunimin, marrjen e vendimeve dhe veprimet reale? Po kur kultura qytetare është e nënshtruar si minorene ndaj dogmave të pranuara religjioze pa koment për to, si mund që shoqëria shtetërore laike ta drejtojë dhe mobilizojë individin për të kuptuar rregullin, ligjin, si dhe të veprojë në përputhje e nën autoritetin e tyre? Penduli jetësor luhatet mes lirisë dhe varësisë, dhe shigjetëza treguese lëviz në filigranin e ndërgjegjes së individit. “Natyra e dyfishtë e të menduarit, dikotomia e arsyes dhe intelektit të racionalizuar është shprehje e dikotomisë themelore të njeriut, e kërkesave bashkekzistuese për varësi dhe liri. Zhvillimi dhe realizimi i plotë i të gjitha aftësive të arsyes varet nga arritja e lirisë së plotë dhe pavarësisë.” (Erich Fromm, “Psikanaliza dhe feja”, faqe 58, botimi shqip). Kur individi është i grupuar, liria e tij për të thënë të vërtetën që është vetëm e tij, është e pamundur, sepse ai nuk mund ta humbasë kontaktin me kopenë dhe të pranojë izolimin prej saj. Ai është një individ nul, i (keq)përdorur. Ky raport është i pafavorshëm edhe për një arsye tjetër madhore, që ngjizet nga realiteti historik. Laicizmi është më i ri në kohë se sa religjionizmi. Përgjithësisht, kështu është kudo. Por kur sekularizmi është tejet i ri në historinë qytetare e institucionale, si edhe ndodh me antropologjinë shqiptare, në këto rrethana shoqëria është e dekretuar si laike dhe mbrohet me ligj, si e tillë; ndërsa masa antropologjike e saj është nën pushtete të tjera, si religjionet, paganizmi, intuitivizmi, pragmatizmi jetësor dhe indiferentizmi total. Masa njerëzore nuk është ende sekulare dhe e udhëhequr nga pranimi i individualitetit dhe i të vërtetave plurale të tyre. Vetëm një pakicë e shkolluar në nivele të tilla shkencore, që mund t’i kuptojë raportet “sekularizëm ligjor me marrëdhëniet fetare” të individit, nuk mundet kurrsesi të sigurojë imponimin për krijimin e një shoqërie laike. Administrata dhe shoqëria janë njëherësh dhe ligjore, ndaj çdo shkelje dhe moszbatim ndëshkohet. Ky lloj ndëshkimi është jo thjesht moral, por edhe shtrëngues, material e deri në heqjen e lirisë. Ndërsa përgjegjësia ndaj kërkesave fetare apo autoritetit të Zotit, në ditët tona nuk shpie në ndëshkime të tilla. Është për këtë shkak që individi mund të veprojë i paraudhëhequr nga porositë fetare aq sa ai i kupton apo aq sa dhe si ai i interpreton, njëkohësisht të ndëshkohet, si pjesë e antropo-sukelarizmit nga ligji, kur ai e cenon atë. Një përplasje e tillë e çorienton shoqërinë dhe lëvizjet sociale të saj. Antropologjia shtresëzohet me grupime fetare. Në Shqipëri, në vitet pasdiktatoriale janë krijuar organizata të tilla si “intelektualët myslimanë”, “intelektualët ortodoksë”, “klinika mjekësore ortodokse”, “qendra mjekësore e fëmijëve kristianë”. Strukturime të tilla godasin rëndë karakterin laik të shtetit dhe shoqërisë, si dhe krijojnë hierarkinë e autoriteteve partikulare, ndaj të cilave përfitohet në mënyrë utilitare. Krijohet përshtypja se jeta nuk qenka një e drejtë natyrore dhe produkt i kujdesit civil, por një dhuratë hyjnore dhe një kujdes fetar. Po kështu, identiteti dhe karriera nuk kushtëzohen nga vetinvestimi, por nga rreshtimi në bazë grupimi. Ashtu si feja dëmtohet dhe përçudnohet kur politika ndërhyn tek ajo, po ashtu feja dëmton kur në emër të kujdesit social dhe doktrinës morale, ndërhyn në aspektin civil laik të shoqërisë e të shtetit.

Organet e specializuara të shtetit nuk do të duhej të hezitonin të ndërhynin, në radhë të parë, ndaj organizatave me “ngjyrime” fetare, të cilat në mënyrë të hapur nëpërkëmbin karakterin laik të shtetit dhe shoqërisë. Gjithë po aq duhet që edhe institucionet e kultit të mos abuzojnë me faktin se, meqenëse janë të ndara nga shteti, qenkan të pavarura edhe nga ligji ose mund të veprojnë edhe kundra tij. Si pjesë e superstrukturës së shtetit laik, si institucione që kanë marrëdhënie me qytetarin, ato nuk mund të jenë as shtetërore, por as kundërligjore apo joligjore.

Objekti i tyre njerëzor është edhe masa antropologjike e formave të tjera institucionale të kujdesit, disiplinimit ligjor e administrativ. Ndaj, bashkëpunimi do të kërkonte respektim të dyanshëm, bazuar në parimet kushtetuese dhe rregullat ligjore, me mirëbesim reciprok.

Kur predikimet fetare udhërrëfehen nga parimi se “feja është pushteti mbi njeriun”, atëherë në kësi rastesh elementet autoritariste bëhen dërrmuese. Zoti shihet kështu si simbol i pushtetit dhe i forcës. Kur besimi te vetja dhe shoqëria delegohet te Zoti dhe i nënshtrohet teologjisë, që e detyron individin që problemet personale dhe çështjet shoqërore t’i perceptojë e të kërkojë për to zgjidhje sipas mësimeve të Zotit apo kodifikimeve të librave të shenjtë, atëherë shoqërisë i është prekur rëndë aspekti sekular. Ashtu si laicizmi nuk duhet të cenojë ndërgjegjen e besimtarit, po kështu strukturat religjioze nuk duhet të cenojnë laicizmin përmbajtjesor dhe funksionues të shoqërisë, duke cenuar ndërgjegjen laike. Nëse ndërgjegjja fetare është mbi atë civile, laicizmi është i rrezikuar. Ky raport brenda njeriut, që është edhe besimtar, edhe individ i shoqërisë civile sekulare, shpreh pikërëndesat themelore të formave të ndërgjegjes, por edhe të praktikave jetësore në familje dhe komunitet. Deformimet me tharm religjioz, që prekin marrëdhënie si martesa, familja, raportet me fëmijët, vënë në pikëpyetje se si mund të rregullohen dhe kurohen këto antropo-raporte me ligjet dhe disiplinën administrative të civilitet sekular.
Ky dyzim është problemi thelbësor, i cili është shumë vështirë të rregullohet në çdo rast konkret dhe në rrethanat e ndryshme të sjelljes dhe bashkëveprimit. Si mund ta bëjë këtë ndarje njeriu, përballë jetës dhe nevojave? Formalisht, ato i nënshtrohen ligjit, por realisht lëvizin në rrathë të një morali tjetër dhe komandohen nga autoriteti i ndërgjegjes mbisunduese.

“Vetëm njeriu i lirë, i çliruar nga pushteti që sjell jo vetëm kërcënim, por edhe mbrojtje, mund ta kuptojë drejt botën rrethuese dhe rolin e tij në botë. Vetëm një njeri i tillë do të mundet që, në mënyrë të plotë, të përdorë arsyen e tij, duke hequr dorë nga gjithfarë iluzionesh; vetëm një njeri i tillë është i aftë për zhvillimin dhe realizimin e aftësive të tij karakteristike.” (Fromm, po aty, faqe 20). Kur nuk i ka këto atribute, ai shpërfaqet si produkt i pafuqisë. Një ndjenjë e tillë, që shndërrohet në ritual të filozofisë së jetës, shpie te rekrutimi mbrojtës. Injoranca, si pjesë e pafuqisë dhe udhëheqëse e saj, nxit gjetjen e një kompromisi utilitar me çfarëdolloj autoriteti të shpallur, që ofron strehim për individë të tillë apo grupime antropologjike më të gjera. Nevojat ekonomike të mbijetesës dhe pamundësia e sigurimit të tyre konvertohen në predispozitën për afrimin e çdo lloj shërbimi, larg kufijve moralë. Për këtë lloj mutacioni antropologjik ky është tregu dhe përthyerjet e tij, që krijojnë lojën pa skrupuj me elasticitet e që sigurojnë, tek e fundit, rrugëgjetjen e mbijetesës. Autoriteti i një tregu si ky është real, dhe jo virtual.

Të tillë e bëjnë operatorët, të cilët shfaqen historikisht si antiimperialë, si fondamentalë fetarë, si misionarë providencialë, si mbrojtës të identitetit tradicional, si shpëtues të jetës etj.

Në Shqipëri, të gjitha organizatat fetare të viteve të fundit, që rezultuan të lidhura me rrjetin e terrorizmit islamik, merreshin me “bamirësi”, duke paguar ose ndihmuar shtresat më të varfra të shoqërisë dhe duke nxitur tek ato një “filozofi të re” për jetën, shoqërinë, familjen, qytetërimin dhe botën. Masa njerëzore që bart pafuqinë përdoret përmes një manipulimi që luhatet nga asistimi ekonomik për njeriun në nevojë, deri te përpunimi mendor, si individë që dinë aq sa u thuhet dhe që besojnë pa kundërshtim çdo gjë u predikohet. Fuqia e arsyes për t’u larguar nga të pavërtetat, iluzionet e mekanizmat realitetprishëse nuk është një sprovë e lehtë.

Sfida do të duhet t’i lërë pas tabutë për kapërcimin e raporteve të vjetra në emër të emancipimit, çka do të kërkonte jo vetëm ndryshim të stereotipit individual, por edhe më shumë kulturë civile. Të qenit pjesë e sociales e bën këtë çlirim t’i kalojë kufijtë e një aventure personale pozitive. I vetëm edhe mund të kulturizohesh progresivisht dhe t’u largohesh mirazheve konceptuale të vjetruara. Është fakt që ndryshimi ndjek linjën individuale, sepse është investim për vete dhe nga vetja. Por kur largimi nga iluzionet idolmbrojtëse nuk përfshin masën dërrmuese të antropologjisë sociale, atëherë të qenit në pakicë bën që ndryshimin progresiv të ta marrin për prishje rregulli, çekuilibrim balancash dhe tendencë për një autoritet të ri, të rrezikshëm dhe degjenerues që shfaqet si moderizëm degjenerues. Në rastin më të keq, ndodh kështu. Në një vend si Shqipëria, ku klasa e mesme mungon, ndërsa profesionet e lira përfaqësohen nga fare pak personalitete të njësuara si autoritete publike në treg, kemi një realitet njerëzor të deformuar dhe me mundësi të munguara të balancave. Trinomi “me paterica” në një realitet të tillë është: Antropologji e deformuar, për pasojë sistem i deformuar: dhe përfundimi, shteti i deformuar, si produkt i pashmangshëm. Deformimi sjell largimin nga demokracia funksionale. Boshllëqet antropo-kulturore mbushen nga pushteti autoritar, sindroma negative e demokracisë së munguar.

Po të krijonim një sistem koordinativ, ku njëri bosht do të shërbente për hedhjen e vlerave të besimit fetar, dhe boshti tjetër për të vendosur tiparet e artikuluara të sekularizmit civil të individëve apo grupeve shoqërore, do siguronim një topografi njerëzore, e cila nuk mund të ofrojë sisteme homogjene. Relievizimi i nivelit të edukatës qytetare dhe dijeve të cekëta do të konfiguronte prerje që pikëzojnë rrjete; të individëve të çliruar, gjysmë të çliruar, hiç të çliruar apo iluzionisht të çliruar nga pushteti i të pavërtetave, parë këto në këndvështrimin shkencor. Por të pranuara si “të vërteta utilitare”, sepse jetohet në një shoqëri që është ngritur mbi vetë ato, e që nuk e ka zgjidhur ende përfundimisht raportin e humanizmit me autoritarizmin, në një ambient antropologjik që bart brenda vetes ndeshjen e demokracisë me sistemet shtrënguese, morale dhe administrative të ndërgjegjes. Raporti i humanizmit me autoritarizmin në ndërgjegjen e njeriut është edhe një sfidë të menduari, me detyrimin: ose ta orientojë individin nga liria (kjo në rastin më të mirë) ose ta lërë atë si individ me liri të munguar apo të pjesëzuar.
Racionalizmi dhe intuitivizmi pasiv, kërkimi i së vërtetës individualisht dhe rreshtimi kolektivist si orientim udhërrëfyes, lidhen pazgjidhshmërisht me formën e organizimit të shoqërisë, me nivelin e emancipimit të saj gjithëplanësor. Ky dialog shoqëri-individ, atje ku realizon lirinë krijuese të individit dhe i siguron atij marrëdhënien individuale me të vërtetën, shpreh një kulmim historik në zhvillimin e vet. Një realitet i tillë nuk është e lehtë të arrihet. Ajo trupëzohet përmes institucionalizimit që e shndërron individin në institucion integral, i cili drejtohet nga arsyeja, si një subjekt i lirë. “Pa heronjtë e së vërtetës, që shkëputen nga kopeja, dhe të vërtetat e saj që pranohen nga nulitetet kolektive në mënyrë të gatshme, - shprehet Erich Fromm, - ne ende do të jetonim në shpella”. Është e kuptueshme se jo të gjithë mund të shndërrohen në heronj të tillë krijues, por të gjithë do të duhet të largohen nga pseudo të vërtetat e menduara nga kokë të tjera ose të krijuara në thellësi të shekujve si dogma që vijnë sot nga misionarë të vetëshpallur, të cilët pretendojnë “ruajtjen e njerëzimit nga shthurja”. Shoqëria dhe individi do t’i rregullonin këto raporte, në sajë të organizimit shtetëror të shoqërisë. Në thelb të një lirie të tillë është “përdorimi i çdo individi me respekt, duke mos qenë një vegël e thjeshtë e shtetit apo ndonjë grupimi tjetër”, por individ për vetveten, si drejtues dhe edukues. “Një rend shoqëror, në të cilin njeriu nuk do të trembet të mendojë në mënyrë kritike, dhe në të cilin synimi për tek e vërteta nuk të shpie në izolimin e njeriut nga kolegët e vet, por që e lejon të ndiejë unitetin e tij me ta”.

Vetëm një shoqëri e tillë do të mundte të shmangte çdo lloj autoritarizmi, qoftë edhe atë që buron nga menaxhimi qeverisës. Idealet njerëzore dhe besnikëria ndaj tyre, që të udhërrëfenin çdo individ, qoftë edhe të rëndomtë, si një njeri të lirë që përpiqet të realizojë aftësitë e tij, do duhej ta nxirrte nga nënshtrimi ndaj autoritarizmit fondamental religjionist çdo njeri, pasi atje antropologjia ia lë vendin delegimit të sovraniteteve në emër të pafuqisë dhe papërsosmërisë. Individi, pre e fundamentalizmit, shpërfaqet si krijesë e dobët. Kjo vuajtje mëkohet nga formulimi josekular se liria e plotë është te perëndia, ndërsa ne jetojmë lirinë e copëtuar si mëkatarë, ndaj nënshtrimi dhe falja na e zbusin dhimbjen. Humanizmi dhe autoritarizmi janë të pranishëm si teza të kodifikuara te të gjitha besimet. Është përgjegjësia e institucioneve të kultit që, në marrëdhëniet me besimtarët, si në liturgji ashtu edhe në procesion, t’i mëshojnë anës humane të besimit. Një marrëdhënie e tillë e ndihmon individin të jetë më i lirë, më i qartë, më optimist dhe më aktiv në raportet me botën, veten dhe antropologjinë. Humanizmi fetar është i tillë kur ndihmon demokratizimin e vetëdijes njerëzore dhe e shtyn besimtarin tek gjithëpërfshirja civile me dashuri dhe respekt të papenguar nga dallimi fetar.

Njeriu, që me ndihmën e edukatës morale fetare bëhet zot i fatit të tij, duke larguar çdo lloj nënshtrimi abuziv me të dhe gjithfarë lloj formash të pasivitetit, si pritshmëria, lypja, delegimi i sovraniteteve, abuzimi, etj., është i drejtuar në ndërgjegje nga humanizmi, liria dhe fryma demokratike. Në rast të kundërt, njeriu që është i kllapitur nga kuptimi për ekzistencën që nga lindja deri në vdekje, si një detyrim dhe dhurim providencial, e ka humbur nordin aksiomatik të jetës, marrëdhëniet me të vërtetën njerëzore, me shpirtin krijues të shndërrimit progresist.

Raporti i deformuar humanizëm-autoritarizëm në ndërgjegjen fetare, vjen edhe për shkak të besimtarit, i cili pafuqinë e tij mendore dhe fizike, frikën ndaj sfidave të jetës kërkon ta strehojë tek autoriteti suprem. Atje ai delegon fatin, energjitë, botëkuptimin dhe pret t’i kthehen si rentë, kujdesi dhe urdhri, të cilët as i analizon, as i kundërshton. Ai shndërrohet në antroposubjekt, “i nënshtruar”. Një përulësi e tillë deformuese, që drejtohet nga zymtësia, bën që edhe shteti, edhe pushtetet të vijnë te “ndërgjegjja e turmës”, si autoritete që nuk mund të gjykohen, dyshohen, për më tepër, të kritikohen. Ja përse është gati aksiomatike teza psikanalitike se “racionalizmi është kushti i zhvillimit të kulturës njerëzore”, ndërsa besimi jokritik, sado i vërtetë të jetë si akt, nuk siguron gjithnjë sinqeritet, sepse shumë procese të pandërgjegjshme ndodhin në subkoshiencën e njeriut, të cilat mund të kenë rolin vendimtar në vendimmarrje. Pa arsye nuk ka liri, nuk ka humanizëm, ka nënshtrim dhe pranim të autoritarizmit, si fetish. Rruga drejt rendit të arsyes është rruga drejt lirisë dhe zhvillimit. Për një antropologji të penguar historikisht kjo nuk mund të mos ishte një rrugë e gjatë dhe e vështirë, sepse liria dhe demokracia, si sisteme, kërkojnë investime të mëdha. Ndërsa largimi nga autoritarizmi nuk mund të realizohet vetëm me dëshirë. Prurjet historike, rrethanat dhe nivelet antropo-kulturore janë elemente themelore që nuk mund të modifikohen thjesht se dëshirohet një sistem demokratik drejtimi. Shteti shqiptar, në gati tetë dekada të shekullit XX, do të duhej të vijonte kalvarin e “autoritarizmit në tranzicion”. Historia vazhdon!

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›