E Martë, 3 Nëntor 2026

Fier, policia prangos ish-shefin e Financës së burgut të Kosovës, Mariglen Myftari, ishte dënuar 2 vjet për korrupsion

Policia e Fierit ka ekzekutuar një vendim të GjKKO-së, për ish-shefin e Financës të IEVP Kosovë, i cili është dënuar me 2 vjet burgim. Mariglen Myftari, 33 vjeç, banues në Lushnjë është arrestuar pasi ishte dënuar nga GjKKO-ja, për shkelje të barazisë në një tender. 

Rreth 2 javë më parë, Policia ndaloi edhe ish-drejtorin e IEVP Kosovë, të dënuar me 1 vit e 4 muaj burgim, për të njëjtën veprimtari kriminale në dëm të pjesëmarrësve në këtë tender.

“Në vijim të veprimeve operacionale, të kryera në vijim të operacionit policor të koduar “Takimi i fundit”, nga specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Fier, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, u bë ekzekutimi i vendimit të GjKKO-së, për ndalimin e shtetasit Mariglen Myftari, 33 vjeç, banues në Lushnjë.”, thuhet në njoftimin e policisë.  

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e ka dënuar këtë shtetas, me 2 vjet burgim, për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrjes në tendera apo ankande publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave qe ushtrojnë funksione publike”.

“Ky shtetas, në periudhën gjatë së cilës ka qenë shef i Financës, në IEVP Kosovë, Lushnjë, me cilësinë e anëtarit të komisionit për zhvillimin e një tenderi me objekt transportin në këtë IEVP, duke kryer veprime të njëanshme, ka shkelur barazinë e pjesëmarrësve në këtë tender. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, për veprime të mëtejshme.”, përfundon njoftimi i policisë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›