E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fierza hap portën nr 3, rëndohetsituata e përmbytjeve në Shkodër

TIRANE - Korrespondenti i Kukësit Bekim Lekica informon se Hidrocentrali i Fierzës ka hapur sot portën nr 3 të shkarkimit pasi Fierza ka arritur pikën kritike të 296 m.

Kjo është hera e parë për këtë vit që Hidrocentrali i Fierzës hap portën për të shkarkuar prurjet e mëdha të Drinit dhe burimeve të tjera anësore.

Hapja e portave të Fierzës shkakton një efekt domino të hapjes së portave dhe në hidrocentralet e Komanit dhe Vau i Dejës.

Ky ujë i shtohet liqenit të Komanit, dhe Komani detyrohet për të hedhur më shumë ujë në basenin e Vaut të Dejës dhe ky i fundit të hapë portat duke rrezikuar të përkeqësohet dhe më tej situata e Nënshkodrës, ku prej më shumë se dy javësh vazhdojnë të jenë 4500 ha tokë nën ujë.

Korrespondenti i Shkodrës Admir Agolli informon se gjatë orëve të mbrëmjes në hec e Vau i Dejës shkarkimet kanë vazhduar mbi 900 m/kub për sekond. Përveç turbinave shkarkohet edhe nga portat, të cilat pas hapjes së portës së Fierzës priten të shtohen dhe më tej. Situata pritet të rëndohet dhe më shumë në komunat e Dajçit, Bregu i Bunës, Bërdicë dhe Ana e Malit.

(sg/shqiptarja.com)
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›