Figura më e re ne Kalane e Gjirokastrës Çerçiz Topulli ngjall reagime tek qytetarët
Një figurë e vendosur për të përfaqësuar Çerçiz Topullin në Muzeun e Kalasë së Gjirokastrës ka hapur debat në rrjet. Pamja e manekinit, që paraqet heroin me veshje, armë dhe dylbi, është kritikuar nga qytetarë dhe figura publike, të cilët thonë se rezultati nuk i ngjan figurës historike dhe nuk e përcjell siç duhet simbolikën e tij.
Qytetarë dhe figura të njohura publike i janë drejtuar Ministrisë së Kulturës, duke kërkuar ndërhyrjen e saj dhe largimin e manekinit nga ambientet e muzeut. Sipas kritikëve, mënyra se si është realizuar figura nuk i ngjan heroit dhe, përkundrazi, e paraqet atë në një formë që është bërë objekt talljeje.
REAGIMI I KIKISE
Hiqeni këtë dordolec!
Në Muzeun e Kalasë së Gjirokastrës janë ekspozuar veshjet dhe armët e Heroit të Popullit, Çerçiz Topulli.
Por manekini, të cilit i kanë veshur rrobat që mbante heroi, ka tërhequr vëmendjen për shkak se kuratorët janë përpjekur t’i japin pamjen e një shtatoreje bashkë me imazhin që i ngjan disi heroit. Në fakt, nuk kanë krijuar as një shtatore dhe as thjesht një manekin, por një “personazh” qesharak, që mban veshjen, dylbitë dhe pushkën e heroit.
Në vend të këtij dordoleci, mund të ishin mjaftuar edhe thjesht me një trup, pa kokë, pasi qëllimi ka qenë ekspozimi i veshjeve dhe armëve, dhe jo ndërtimi i një shtatoreje të heroit.