Fillojnë me tragjedi

Nodar Kumaritashvili
Me flamurin në gjysmështizë, të vendosur nga bashkëkombësit, me stadiumin në këmbë dhe në vaj, me një minutë heshtje, të shtunën janë hapur edhe zyrtarisht lojërat olimpike dimërore Vancouver 2010.
Vdekja shokuese e gjeorgjianit, rrëshqitës me sajë, Nodar Kumaritashvili, e ka tronditur këtë kompeticion, por edhe mbarë botën. Provat para nisjes së Olimpiadës, kanë qenë fatale për gjeorgjianin, i cili ndërroi jetë pasi u përplas në një shtyllë, derisa po voziste në një shpejtësi prej 144 kilometra në orë.
Kumaritashvili nuk u harrua, por ceremonia e hapjes së Olimpiadës vazhdoi: pa ndryshime në program, ceremonia filloi edicionin XXI të Olimpiadës dimërore, pak orë pas tragjedisë.
Përpara miliarda telespektatorëve, dhe 60 mijë të pranishmëve në stadiumin B.C.Place të Kanadasë, ka nisur spektakli, që po mbahet për herë të tretë në këtë vend, pas Montreal '76 e Calgary '88. Për tre orë, në skenë dolën të gjitha shtresat, indianë, evropianë, amerikanë, afrikanë, aziatikë, të rinj dhe të vjetër.
Skena i ka takuar atletëve, që përfaqësonin 82 kombe, të cilët u përcollën me duartrokitje të pandalshme nga të pranishmit në stadium.
Më pas, i erdhi radha edhe sfilatës së gjeorgjianëve, që ishin në një grup të vogël: shoku i tyre Nodar nuk është më, e ata me lot në sy dhe me një shall të zi në qafë, e vazhduan rrugëtimin të prirë nga skiatori Iason Abramashvili, kur të gjithë të pranishmit ishin ngritur në këmbë.
“Nuk dimë se çka të bëjmë, jemi të gjithë të shokuar. Nuk e di se si ka vdekur Nodar, por mund t’ju them këtë: pista ishte e tmerrshme”, ka thënë kryesuesi i delegacionit gjeorgjian, Irakly Japaridze.
Ndërkaq, presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Jacques Rogge ,duke iu dridhur zëri nga emocionet, e kujtoi tragjedinë e gjeorgjianit dhe për vuajtjen që po e kalon në këtë moment i gjithë delegacioni.
“Na vjen keq, këto janë momente të vështira. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar është në zi. Këtu patëm një djalosh të ri që e humbi jetën duke e shijuar pasionin e tij. Ai e kishte ëndërr të merrte pjesë në këtë Olimpiadë. Ai po ushtronte fort, ndërsa e pësoi aksidentin fatal. Nuk kam fjalë ta përshkruaj atë që po e ndiejmë në këtë moment”, tha presidenti Rogge.
Skena e fundit ishte për flakadanin: hyri në stadium, kaloi në duart e patinazhistes Catriona LeMay Doan, më pas tek basketbollisti Steve Nash, për të vazhduar tek ish mbretëresha e borës, Nancy Greene, për të përfunduar në duart e legjendës së hokejit në akull, kanadezit Wayne Gretzky.
Megjithatë, mbeti dhimbja për vdekjen e atletit gjeorgjian. E gjithë bota e kujtoi djaloshin që e ëndërroi Olimpiadën, por që nuk ia doli ta përjetojë...