E Diel, 1 Nëntor 2026

“Final 4”, Dinamo City bën surprizën duke fituar përballë Vllaznisë

TIRANË, 16 maj /ATSH/ Faza “Final 4” nisi këtë të shtunë në stadiumin “Air Albania”, me sfidën Vllaznia – Dinamo City, që u mbyll me fitoren e dinamovitëve me rezultatin 2 me 0.

Golin i parë i takimit erdhi në minutën e 77-të të ndeshjes, kur pas një aksioni të rrjedhshëm të bluve, Malomo në të djathtë të sulmit dinamovit goditi saktë në portën shkodrane.

Ndërsa në minutën e 95-të Xhejms, pas një kundërsulmi arriti të dyfishonte rezultatin, i ndihmuar edhe nga portieri shkodran, i cili kishte braktisur portën për t’i shkuar në ndihmë sulmit.

Ekipi kryeqytetas e luajti ndeshjen e sotme pa trajner, pasi Ilir Daja u dënua nga Komisioni i Disiplinës pranë FSHF me 4 ndeshje pezullim.

Një duel mjaft i rëndësishëm për ecurinë e fazës finale, ku çdo pikë merr peshë vendimtare në garën për titullin kampion.

Vllaznia erdhi në këtë përballje nga vendi i parë me 31 pikë, duke hyrë në këtë fazë me avantazhin e renditjes, ndërsa Dinamo City, që mban vendin e katërt me 24 pikë, e nisi me rezultat pozitiv rrugëtimin në “Final 4”. Me këtë fitore Dinamo City shkon në kuotën e 27 pikëve.

Atmosfera në stadium ishte elektrizuese, ku sfida ishte e luftuar që nga minuta e parë me rivalitet, emocione dhe spektakël për tifozët e të dyja skuadrave. Në minutën e 69-të Vllaznia mbeti me 10 lojtarë, pas daljes me karton të kuq të Berishës (me dy të verdha).

Po aq interesante pritet të jetë edhe sfida mes Elbasanit dhe Egnatias, që do të zhvillohet nesër po në “Air Albania”, në orën 19:00.

Ekipet do të zhvillojnë përballjen e shtatë sezonale mes tyre. Verdheblutë kanë treguar efikasitet më të lartë në sulm, duke realizuar 6 gola ndaj Egnatias, ndërsa rrogozhinasit kanë shënuar 5 gola në ndeshjet e deritanishme mes dy ekipeve. Elbasani vjen në Final 4 me 31 pikë, ndërsa Egnatia me 28 pikë.

Biletat për ndeshjen mund të sigurohen online në ebileta.al, si edhe pranë pikës fizike të shitjes në stadiumin “Air Albania”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›