Final 4, Egnatia fiton edhe ndaj Vllaznisë dhe vë njërën dorë te titulli

TIRANË, 23 maj /ATSH/ Egnatia ka fituar edhe ndeshjen e dytë të vlefshme për fazën Final 4, duke mposhtur Vllazninë me rezultatin 2-1.
Në ndeshjen e luajtur mbrëmjen e sotme në Air Albania, Egnatia arriti të mposhtë pretendentët kryesorë për titull kampion, me dy gola të shënuar nga Soton në minutën e 38-të, dhe Adjesën në të 88-ën. Vllaznia barazoi përkohësisht me Qaton në minutën e 77-të.
Një përballje e luftuar deri në fund, me ritëm të lartë, duele të forta dhe emocione që mbetën të hapura deri në minutat e fundit.
Pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal të rrogozhinasve, pas një 45-minutëshi intensiv ku të dyja skuadrat u shfaqën agresive, ndërsa arbitri u detyrua të nxirrte 5 kartonë të verdhë. Golin e avantazhit për Egnatian e realizoi Eljon Sota, i cili shfrytëzoi në maksimum një krosim të Kryeziut dhe me goditje me kokë dërgoi topin në rrjetë. Në minutat shtesë të pjesës së parë, Egnatia iu afrua edhe golit të dytë, por pa arritur të dyfishojë rezultatin.
Edhe pjesa e dytë nisi me raste për skuadrën e Egnatias, me Bakajokon që shpërdoroi një mundësi të artë përballë portës së Pohls. Kur dukej se rrogozhinasit po kontrollonin sfidën, Vllaznia reagoi në minutën e 77-të. Pas një shtylle të goditur fillimisht nga Murataj, ishte Qato ai që shfrytëzoi topin e kthyer për të barazuar rezultatin dhe për të rihapur plotësisht ndeshjen.
Megjithatë, fjala e fundit i takoi Egnatias. Në minutën e 88-të, Adjesa realizoi golin e fitores, duke vulosur suksesin 2-1 të skuadrës rrogozhinase, që merr kështu tri pikë shumë të rëndësishme dhe ngjitet në krye të renditjes me 34 pikë. Në vendin e dytë renditet Elbasani me 31 pikë (1 ndeshje më pak). Po kaq ka edhe Vllaznia e vendit të tretë, ndërsa Dinamo City ka 27 pikë (1 ndeshje më pak).
Kjo fitore e Egnatias nxjerr jashtë loje matematikisht nga gara për titull Dinamo City-n.
Ndërkohë, nesër në stadiumin “Air Albania” do të luhet edhe sfida tjetër e kësaj faze mes Elbasanit dhe Dinamo City-t, e programuar për në orën 19:00.