Finalja e Sanremos në RTSH- Festivali i Këngës rekord shikueshmërie, mbi 10 milionë spektatorë

Festivali i Sanremos 2024 po thyen rekordet e audiencës. Tre netët e para të festivalit janë transmetuar për publikun shqiptar në kanalin RTSH 2, ndërsa nata finale do të transmetohet të shtunën në mbremje në kanalin RTSH 1.
Netët e festivalit janë moderuar nga Andri Xhahu dhe Elona Jaçellari, të cilët tregojnë dhe arsyet pse ky edicion i Sanremos ka regjistruar këtë audiencë kaq të lartë krahasuar me vitet e kaluara.
“Ndryshe këtë vit ishte fakti që Amadeo për katër vite testoi se çfarë do publiku dhe solli vëmendjen tek muzika e vërtetë dhe tek mesazhet e forta sociale”, u shpreh Xhahu.
Por çfarë tregojnë të dhënat e matjes së audiencës deri tani?
Festivali i Sanremos i drejtuar nga Amedeo Sebastiani (Amadeus) ka regjistruar një audiencë mesatare prej 10,5 milionë shikuesish me një përqindje prej 65,1%.
Vitin e kaluar, mbrëmja e parë e Sanremo 2023 kishte marrë mesatarisht 10 milionë shikues me një përqindje prej 62,4.
Kulmi në vlerat absolute të mbrëmjes së parë të Sanremo 2024 u arrit në orën 22:09, kur Daniela Di Maggio, nëna e Giovanbattista Cutolo, doli në skenë, me 16 786 000 spektatorë para ekranit.
Shikueshmëria arriti kulmi edhe në orën 00:15 me 70,1% kur këngëtarja Big Mama performoi në skenë.
Finalja e ngjarjes më të madhe të muzikës italiane, do të vijë për publikun të shtunën në mbrëmje më 10 shkurt.
RTSH