Financimet ruse, PS: Drejtësia të nis hetimet ndaj Kryemadhit, është cenuar siguria kombëtare

“I bëjmë thirrje organeve ligjvënëse të nisin urgjentisht hetimi, është cenuar siguria kombëtare” me këtë thirrje Partia Socialiste ka kërkuar nga SPAK të hetojë lidhur dokumentet që janë bërë publik në media ku thuhet se deputetja Monika Kryemadhi ka marrë financime ruse gjatë vitit 2017.
Nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS, Toni Gogu tha se kjo çështje ka “njollosur Shqipërinë”, por është edhe një tregues se “Rusia ka shtrirë fijet e saj në Ballkan”.
Ndër të tjera, Gogu ka ngritur edhe pyetje ndaj Kryemadhit se pse nuk i ka deklaruar këto pagesa nga oligarkët rus dhe se duhet të jap shpjegime para drejtësisë dhe qytetarëve që e kanë votuar.
“Dokumentet tregojnë që Kryemadhi ka bërë transaksione me oligarkë rusë. Ky është një alarm për sigurinë kombëtare të vendit, pasi e dimë që qëllimi i Rusisë është të krijojë zona ndikimi pro ruse në Ballkan. Këto transaksione tregojnë vulnerabilitetin e Shqipërisë dhe tregojnë se fijet ruse në Ballkan tani janë shtrirë. Është e rëndësishme që sot të shqetësohemi të gjithë.
Shqipëria është aleat i vendeve që sot po ruajnë territorin e Ukrainës dhe si pasojë të gjitha këto vende janë në siguri të lartë ndaj këtij sulmi. Në respekt të këtyre shteteve, Kryemadhi duhet t’u përgjigjet disa pyetjeve. Pse nuk i ka deklaruar këto pagesa? Çfarë lidhje ka Kryemadhi me oligarkë që janë sponsorë të Putin? Si mundet gruaja e presidentit të ketë kompani offshore?
Duhet t’u përgjigjet qytetarëve për lëvizjet e saj jashtë shtetit. Lëvizjet e saj në 2017 korrespondojnë me lëvizjet në llogari.
Si mundet të jetë një politikan në një thes të tillë rublash dhe të mos u japësh shpjegimet e duhura qytetarëve? Si mund të jetë normal anashkalimi i një përgjegjësie të tillë, ku cenohet siguria kombëtare? Këtë e bën Kryemadhi dhe bashkëshorti i saj Ilir Meta.
I bëjmë thirrje organeve ligjvënëse të nisin urgjentisht hetimi. Është cenuar siguria kombëtare. Shqipëria është njollosur”, tha Gogu
Artikuj të publikuar në disa media akuzojnë Monika Kryemadhin se ka marrë financime nga kompani offshore të kontrolluara nga biznesmenë rusë të naftës. Kryemadhi e cilësoi këtë si fushatë dezinfomimi ndaj saj dhe ka deklaruar se do shihet në gjykatë me këto media.
Ndërkohë në shtator 2022 qeveria amerikane publikoi të dhënat e një raporti nga komuniteti amerikan i zbulimit, sipas së cilit Rusia kishte financuar fshehurazi prej 8 vjetësh parti e kandidatë në dhjetëra vende, për të ndikuar demokracitë nga brenda, mes të cilave edhe Shqipëria. Sipas informacionit të raportit, në vitin 2017 Rusia i dha gjysmë milionë dollarë Partisë Demokratike përmes kompanive fantazmë.
/rtsh.al/