E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Financimet ruse në PD, Rama: I denoncuam, por na përqeshën! Drejtësia duhej t’i kishte dhënë përgjigje me kohë

Kryeministri Edi Rama, në një bashkëbisedim me qytetarët dhe gazetarët në Facebook, u ndal edhe  te pretendimet e SHBA për financimin rus të Partisë Demokratike gjatë zgjedhjeve të 2017. Rama theksoi se Partia Socialiste e ngriti këtë shqetësim me kohë dhe se drejtësia do të duhej t’i kishte dhënë tashmë përgjigje.

“Kur ne e kemi ngritur këtë problem, na kanë përqeshur dhe askush të në mase të madhe të politikës, përveç PS, nuk ka marrë përsipër të thellohet në këtë drejtim. Ka qenë një front i madh i bashkuar politik e mediatik për ta mohuar me të qeshur këtë çështje dhe ja ku jemi sot. Drejtësia e ka trajtuar këtë çështje dhe nuk i ka dhënë asnjë përgjigje. Skandalizohem që disa sot tregohen si të tronditur, duhej të bënin detyrën e tyre kur u hap kjo çështje”, tha Rama.

Në lidhje me akuzat e kreut të PD Sali Berisha, se ishte Rama që ndërhyri te gjykatësit që çështja të mbyllej, kreu i qeverisë i konsideroi gënjeshtra, duke shtuar se ishte pikërisht ai që mbronte Lulzim Bashën kur PS ngriti shqetësimin e financimeve ruse.

“Ai është turpi i kujtdo që e sjell si pikë referimi në botën e informacionit dhe në debatin publik. Është monumenti i gënjeshtrave, akuzave dhe shpifjeve dhe është prurësi më i madh i llumit moral e njerëzor në historinë e Shqipërisë. A nuk ishte ky që e mbrojti me pathos Bashën? Ku hy unë këtu? Kjo është historia e një shejtan budallai që torollis një vend të tërë dhe tërheq për hunde ata që e pranojnë ta konsiderojnë si pikë referimi. Financimi rus i PD është dënuar nga PS dhe të gjithë ata që janë çuditur, s’kanë lënë gjë pa ju thënë”, tha kryeministri.

 SHBA publikoi një raport ku pretendohej se Partia Demokratike kishte marrë 500 mijë dollarë nga Rusia në zgjedhjet e vitit 2017.  Sipas një zyrtar të lartë të administratës së Joe Biden, Rusia ka shpenzuar më shumë se 300 milionë dollarë që nga viti 2014 për të ndikuar tek politikanët në më shumë se 24 vende dhe ka financuar me 500,000 dollarë Partinë Demokratike të Shqipërisë në zgjedhjet e vitit 2017. Lulzim Basha, kreu i PD-së në atë kohë, reagoi duke hedhur poshtë pretendimet dhe duke theksuar se PD nuk ka marrë kurrë asnjë financim të huaj.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›