Financimi 500 mijë USD nga rusët për Bashën, Karabina: Shkrimi i BBC i mbushur me të pavërteta

Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Mirela Karabina bëri të ditur të enjten se i ka dërguar një reagim BBC-së, lidhur me një shkrim të botuar nga BBC-ja, ku emri Bashës lakohet për një financim prej 500 mijë USD nga Rusia.
Shkrimi, i cili ka pasur jehonë edhe në mediat shqiptare, është vlerësuar nga Karabina si “version i deformuar nga një shkrim me disa të pavërteta të marra copy-paste nga vala e shpifjeve kundër PD dhe Lulzim Bashës”.
“Fakti që në shkrim as nuk përmendet korruptimi që Edi Rama i bëri McGonigal për të sulmuar Lulzim Bashën, tregon se kush është i interesuar për riciklimin e kësaj çështje që ka marrë përgjigje si nga institucionet shqiptare të drejtësisë ashtu dhe nga ato të SHBA”, tha Karabina.
Sipas saj, në shkresën zyrtare që PD i ka nisur BBC thuhet se narrativa e paraqitur është pa asnjë ekuivok e rreme nga fillimi në fund.
“Siç është faktuar tashmë, as zoti Basha dhe as Partia Demokratike dhe fushatat e saj nuk kanë marrë ndonjëherë fonde nga Rusia. Kur kjo histori doli për herë të parë në 2017, zoti Basha dhe Partia Demokratike kërkuan një hetim të plotë dhe bashkëpunuan plotësisht me të gjitha autoritetet hetimore. Në vitin 2019, gjykatat në Shqipëri e kishin shfajësuar plotësisht zotin Basha dhe Partinë Demokratike, duke e pastruar atë nga çdo lidhje me këtë histori të sajuar.”, deklaron Karabina.
Sipas saj, që prej asaj kohe ka dalë në dritë se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kishte lidhje të ngushta me agjentin e atëhershëm të FBI-së, Charles McGonigal.
“Sipas hetimeve, përfshirë nga Neë York Times, këto lidhje u krijuan kryesisht për të goditur z. Basha, duke u përfshirë në një fushatë shpifjeje kundër tij, pjesë e së cilës ishin edhe këto akuza të rreme”, shkruhet në reagim e PD.
/rtsh.al/