E Diel, 1 Nëntor 2026

Financimi i Startup Albania po sjell rritje të bizneseve inovative

TIRANË, 29 qershor /ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur sot se mbështetja për startup-et përmes programit “Startup Albania” po jep rezultate konkrete në zhvillimin e sipërmarrjeve të reja dhe inovative.

Në një postim në rrjetet sociale, Ibrahimaj solli shembullin e startup-it “SunEasy”, i cili, sipas saj, ka shënuar rritje të dukshme pas përfitimit nga Skema e Granteve 2024.

“Mbështetja e duhur mund të kthejë një ide në një biznes në zhvillim. SunEasy është një shembull konkret i ndikimit që mund të ketë financimi i Startup Albania në rrugëtimin e një startup-i”, u shpreh Ibrahimaj.

Ministrja bëri të ditur se, pas financimit nga skema e granteve, SunEasy ka rritur numrin e punonjësve nga 1 në 4, klientët nga 13 në 21, ndërsa të ardhurat janë rritur nga 37% në 63%.

“Këto rezultate tregojnë se investimi në startup-e nxit rritjen, inovacionin dhe krijimin e bizneseve të qëndrueshme”, theksoi Ibrahimaj.

Sipas ministres, rezultatet e arritura nga SunEasy dëshmojnë ndikimin pozitiv të mbështetjes financiare në fuqizimin e ekosistemit të startup-eve, duke nxitur rritjen e kompanive të reja, krijimin e vendeve të punës dhe zhvillimin e ideve inovative në Shqipëri.

/e.xh/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›