E Hënë, 2 Nëntor 2026

Finlanda e nis e para, asetet e ngrira ruse kalojnë në financim për mbrojtjen e Ukrainës

Finlanda do të furnizojë Ukrainën me municione me vlerë 90 milionë euro duke përdorur të ardhurat nga asetet financiare ruse të ngrira nga Bashkimi Evropian.

Lajmin e ka dhënë ministria Finlandeze e Mbrojtjes, që sipas Reuters, BE-ja ka vlerësuar se rreth 210 miliardë euro nga gjithsej 300 miliardë dollarë në asete ruse të ngrira ndodhen brenda bllokut prej 27 vendesh anëtare, kryesisht në formën e obligacioneve shtetërore që banka qendrore e Rusisë i kishte ruajtur si rezerva.

Kujtojmë se Komisioni Evropian vendosi vitin e kaluar që të ardhurat nga këto asete të mund të përdoren për të mbështetur ushtarakisht Kievin përmes një fondi të drejtuar nga BE.

“Arritëm të negociojmë financim shtesë për mbështetjen e Finlandës ndaj Ukrainës,” ka thënë ministri i Mbrojtjes, Antti Hakkanen.

Në lidhje me këtë hap nuk ka pasur ende ndonjë koment nga Kremlini, megjithatë vendi ka deklaruar vazhdimisht se çdo përpjekje për të konfiskuar apo shitur asetet e ngrira ruse do të ishte e paligjshme; do të shkelte të drejtat e pronësisë dhe do të krijonte një precedent të rrezikshëm dhe do të kundërshtohej në gjykatë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›