Fino: Diaspora, prioritet i politikës së jashtme

TIRANË, 16 korrik/ATSH/ Në drejtimin e kryetarit, Ladrim Krrashi u zhvillua sot mbledhja e Nënkomisionit për Diasporën dhe Migracionin,ku u miratua edhe kalendari i punimeve të Nënkomisionit për Diasporën dhe Migracionin, për periudhën 1-26 korrik 2024.
Mbledhja e nënkomisionit vijoi me zhvillimin e seancës dëgjimore me Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme mbi çështje që lidhen me diasporën, si dhe mbi veprimtarinë vjetore për vitin 2023 të Agjencisë Kombëtare të Diasporës.
E ftuar në këtë seancë dëgjimore ishte zëvendësministrja e për Europën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino dhe Mirela Thanasi, Drejtore Ekzekutive e Deleguar e Agjencisë Kombëtare të Diasporës.
Fino u shpreh përpara anëtarëve të komisionit se diaspora ka një rëndësi të veçantë dhe është prioritet i politikës së jashtme. Pas prezantimit të raportit vjetor të AKD-së, mbledhja e komisionit vijoi me diskutime dhe pyetje të ndryshme.
Nënkomisioni për Diasporën dhe Migracionin zhvilloi gjithashtu seancë dëgjimore mbi veprimtarinë vjetore për vitin 2023 të Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët.
E ftuar në këtë seancë dëgjimore ishte Diana Kastrati, Drejtore Ekzekutive e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët.
Kastrati gjatë fjalës së saj përpara anëtarëve të komisionit u shpreh se “vizioni ynë ka qenë nxjerrja në pah në mënyrë të strukturuar të kulturës retrospective arbëreshe të së kaluarës me një vëmendje të veçantë ndaj aktuales, asaj që quhet bashkëkohore”./m.m/