E Shtunë, 31 Tetor 2026

Firma Apple sulmohet nga piratët kibernetikë

Apple u bë korporata e fundit më e madhe amerikane që sulmohet nga hakerat.
 
Kompania Apple e njohur për iPhone, iPads dhe iPods, tha të martën se kompjuterat e disa punonjësve të saj ishin goditur, kur ata vizituan një faqe interneti të infektuar që përdoret nga zhvilluesit e programeve.
 
Apple thotë  se ende nuk e di sa dëme ka pësuar por shton se virusi është i njëjtë me atë që sulmoi Facebookun javën e kaluar.
 
Burimi i këtij sulmi kibernetik nda kompanive jApple dhe Facebook është i panjohur. Media sociale Twitter gjithashtu u godit në fillim të këtij muaji së bashku me gazetat New York Times, Wall Street Journal dhe Washington Post, që kanë fajësuar hakerat në Kinë.
 
Dje, një grup amerikan për sigurinë në internet akuzoi qeverinë kineze për përfshirje në një fushatë të sofistikuar sulmesh kibernetike ndaj bizneseve, qeverisë dhe infrastrukturëve të rëndësishme amerikane.
 
Një raport prej 60-faqesh i publikuar dje nga grupi Mandiant jep dhjetra hollësi të sulmeve nga një grup tepër aktiv i piraterisë në internet me bazë në Kinë, që ka përdorur "mbështetje të drejtpërdrejtë të qeverisë" për të zhvilluar "një fushatë të gjerë e intensive spiunazhi në internet."
 
Grupi Mandiant thotë se që nga viti 2006 grupi i hakerëve kinezë që raporti i referohet si APT1, ka vjedhur të dhëna nga rreth 150 organizata me bazë kryesisht në SHBA. Raporti nuk jep emrat e organizatave por thotë se ato janë të përhapura në 20 industri, që nga teknologjia informative e deri tek shërbimet financiare.
 
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Hong Lei mohon akuzat e grupit Mandiant. Ai thotë se është joprofesionale dhe e papërgjegjshme për të bërë akuza të tilla të pabaza. Zëdhënësi Hong thotë se një studim kinez tregon se sulmet kibernetike ndaj objekteve kineze vijnë nga Shtetet e Bashkuara.
 
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney nuk komentoi drejtpërdrejt mbi raportin Mandiant. Por ai tha se Presidenti Barak Obama është i përqëndruar në sigurinë kibernetike dhe është duke marrë të gjitha hapat e duhur për të mbrojtur qeverinë dhe rrjetet e sektorit privat.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›