E Diel, 1 Nëntor 2026

Firmoset marrëveshja Fincantieri-Kayo për prodhimet ushtarake në Pashaliman, Rama: 2 anijet e para do të forcojnë flotën detare shqiptare

Kryeministri Edi Rama e cilësoi një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të Forcave të Armatosura firmosjen e marrëveshjes mes kompanisë italiane Fincantieri dhe kompanisë KAYO, për ndërtimin e anijeve luftarake në Shqipëri.

Marrëveshja parashikon krijimin e një shoqërie të re që do të prodhojë anije në kantierin e Pashalimanit, në shërbim të ushtrisë shqiptare dhe të vendeve aleate. Sipas Ramës, kjo nismë përfaqëson një moment të rëndësishëm jo vetëm për sigurinë dhe Forcat e Armatosura, por edhe për ekonominë dhe të ardhmen e të rinjve shqiptarë.

““Kemi arritur një pikë të rëndësishme për të ardhmen e aparatit të sigurisë së Shqipërisë dhe Forcave të Armatosura, por edhe për ekonominë dhe të ardhmen e të rinjve shqiptarë. Marrëveshja me Fincantieri synon krijimin e një shoqërie të re, ku Fincantieri, së bashku me KAYO-n, do të prodhojnë në Shqipëri, në kantierin e Pashalimanit, anije lundruese në dobi të ushtrisë shqiptare dhe të ushtrive të vendeve aleate.

Ajo që e bën këtë marrëveshje të veçantë është fakti që bota e kantiereve detare po ndryshon, dhe kjo nismë kërkon një vullnet dhe vizion për ta shoqëruar këtë ndryshim me diçka të re, të veçantë, e cila do të krijojë një ekselencë italo-shqiptare në territorin tonë dhe do të shërbejë për inovacionin në këtë sektor.

Nga ana tjetër, kjo marrëveshje është një lajm i mirë për të rinjtë e shkollës industriale të Vlorës, të cilët do të jenë të parët që do të kontaktohen dhe ftohen të marrin pjesë në një rrugëtim formimi të përshtatur, për të qenë nesër pjesëmarrës në këtë shoqëri të re ekselence në qytetin e tyre. Ata do të shoqërohen gjatë këtij formimi nga profesionistë të Fincantierit” u shpreh kryeministri.

Rama theksoi se projekti do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë edhe në formimin profesional të të rinjve, duke veçuar nxënësit e shkollës industriale të Vlorës, të cilët do të jenë ndër të parët që do të përfshihen në këtë projekt dhe do të trajnohen nga specialistë të Fincantieri.

Sipas tij, Shqipëria do të përfitojë e para nga prodhimi i kësaj shoqërie të re, me ndërtimin e dy anijeve të para për Forcat e Armatosura, duke e çuar në shtatë numrin total të flotës detare, në përputhje me standardet e NATO për rolin e vendit në Mesdhe.

Prodhimi i anijeve pritet të vijojë më tej edhe për eksport, duke synuar tregjet ndërkombëtare dhe duke sjellë teknologji të avancuar dhe inovacion në industrinë detare shqiptare.

“Kjo marrëveshje hap rrugën për një diskutim të ri me natyrë ekonomike për Fincantierin dhe KAYO-n, pasi Shqipëria do të jetë ndër të parat që do të përfitojë nga produktet e kësaj shoqërie. Dy anijet e para që do të ndërtohen për Forcat tona të Armatosura do ta çojnë në shtatë numrin total të flotës sonë, një shifër që, sipas standardeve të përcaktuara nga NATO, konsiderohet optimale për peshën dhe përgjegjësitë e Shqipërisë në Mesdhe. Prodhimi do të vijojë më tej edhe për eksport, duke synuar tregjet ndërkombëtare, ku teknologjia e re dhe inovacioni që do të shoqërojnë këtë proces do të implementohen plotësisht”, tha ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›