E Enjte, 5 Nëntor 2026

Fiskalizimi, afatet nuk shtyhen

Në Shqipëri autoritetet fiskale kanë konfirmuar se nuk do të ketë shtyrje të afatit të fiskalizimit. Faza e dytë, që nis në korrik dhe e treta në shtator do të përfshijnë të gjitha subjekteve në vend, me përjashtim të ambulantëve dhe fermerëve, që vlerësohen të jenë rreth 80 mijë, në total. 91 për qind e të gjithë subjekteve në Shqipëri paguajnë zero tatim fitim dhe zero tatim mbi vlerën e shtuar.

Kjo është tabela e publikuar nga autoriteti tatimor shqiptar që tregon ecurinë e fiskalizimit duke filluar nga muaji janar i këtij viti. Në komunikimet zyrtare me RTSH, Administrata Tatimore rikujtoi se në datë 1 Korrik nis zbatimi i fazës së dytë të Fiskalizimit, për transaksionet pa para në dorë Biznes me Biznes. Këta tatimpagues duhet të marrin masat për t’u pajisur në kohë me çertifikatën elektronike. Ky element teknik, shumë i rëndësishëm, për të aksesuar portalin dhe pranuar faturat, sigurohet duke aplikuar online tek Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) nëpërmjet portalit e-albania.

Drejtoresha e përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj deklaroi se nga Fiskalizimi preken të gjithë tatimpaguesit që lëshojnë fatura dhe se ky proces do të ndihmojë në formalizimin e ekonomisë.

Fatura e lëshuar në mënyrë elektronike nga 1 janari vjen direkt në Drejtorinë e Tatimeve kur transaksioni është kryer mes biznesit dhe enteve publike. Nëse më përpara kuponi tatimor lidhej me kasën dhe kuponin, sot gjithçka fatura elektronike dhe të dhënat do transferohen në kohë reale te Tatimet, sqaruan burimet zyrtare tatimore.

Faza e dytë, që fillon në 1 korrik, është marrëdhënie e bizneseve me njëri-tjetrin, pra janë transaksione që kalojnë nëpërmjet llogarive bankare, transaksione pa para në dorë mes bizneseve. Në këtë fazë përfshihen 51 mijë subjekte.

Sipas të dhënave nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), vetëm 35% e tyre e kishin marrë deri në 17 qershor certifikatën elektronike, që është hapi i parë për përfshirjen në procesin e fiskalizimit. Sipas drejtorisë së përgjithshme të tatimeve, “nuk do të ketë qasje penalizuese ndaj tatimpaguesve, qasja ndaj subjekteve do të jetë informuese për zbatimin e procesit dhe pa penalizime”. Sot 91% e bizneseve paguajnë zero tatim-fitimi dhe zero TVSH dhe vetëm 9% e tyre, pra që janë biznesin e madh, paguajnë 15% tatim-fitimi.

Brenda 91% janë 111 mijë biznese me rreth 300 mijë persona të punësuar që janë çliruar totalisht nga tatim-fitimi. Është një hap që e vendos Shqipërinë në një pozicion krejt të posaçëm në gjithë rajonin dhe çdo subjekt që ka një xhiro vjetore deri në 114 mijë euro është një subjekt pa taksa.

Sakaq, tatimet nuk kanë shpjeguar akoma se cilën pjesë të ligjit do të shkelin apo anashkalojnë duke hequr penalitetet që janë pjesë e rëndësishme e ligjit fiskal.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›