Fiter Bajrami, palestinezët falen mes rrënojave të Gazës

Në ditën e shenjtë të Fiter Bajramit palestinezët u mblodhën për t’u falur mes rrënojave të ndërtesave të Gazës së shkatërruar nga lufta mes Izraelit dhe Hamasit. Të uritur dhe të dëshpëruar nga një luftë që nuk i dihet fundi, ka prej tyre që falënderojnë Zotin që pavarësisht gjithckaje, iu mundësoi të falen në këtë ditë të veçantë.
Edhe mëngjesin e kësaj të mërkure, izraelitët ndërmorën sulme ajrore ndaj enklavës së rrethuar. Sulmet, sipas izraelitëve, goditën dhjetëra celula terroriste, duke vrarë shumë militantë dhe duke shkatërruar infrastrukturën e tyre. Por ndërkohë katër fëmijë humbën jetën në kampin e refugjatëve Nuiserat si pasojë e tyre.
Dhjetëra mijëra palestinezë ndërkohë u mblodhën në xhaminë Al Aksa në Jerusalemin lindor të aneksuar nga izraelitët, ku një prej tyre u shpreh se ky ishte Bajrami më i trishtë që kishte përjetuar.
“Zakonisht vijmë në Al Aksa për të festuar. Këtë vit erdhëm për të mbështetur njëri-tjetrin”, u shpreh një tjetër në mjediset e xhamisë që është vendi I tretë më I shenjtë në islam.
/rtsh.al/