Fitim Zekthi: Opozita në krizë të thellë. Nuk është gati për zgjedhje në Tiranë, të gjithë i shmangen kandidimit

Në një intervistë për emisionin “Tema e Ditës” me gazetarin Arber Hitaj në RTSH, politologu Fitim Zekthi, analizoi zhvillimet e fundit politike në vend, duke u ndalur veçanërisht tek debati i ndodhur gjatë punimeve të Kuvendit, të cilin ai e cilësoi si dëshmi të krizës së politikës në tërësi, por sidomos të opozitës.
Zekthi u shpreh se “Diella” është thjesht një pretekst nga opozita për të bërë atë që ajo nuk duhet të bëjë.
“Argumenti i ‘Diellës’ është pafuqia e opozitës për të bërë politikën e duhur, për të prodhuar mendim kritik opozitar dhe për të servirur një mendim alternativ mbi programet dhe atë që përfaqëson kjo qeveri.”
Duke komentuar përplasjet politike, Zekthi tha se konflikti nuk ka nisur sot dhe pamjet nuk janë të reja, por disa vjeçare.
Ai theksoi se të dyja partitë kanë kontribuar në këtë situatë, por “në masë shumë dërrmuese e ka bërë opozita e sotme.”
“Këto janë pamje që dëshmojnë jo vetëm krizën e thellë, por nevojën e protagonizmit të bartësve të krizës. Në gjykimin tim ka një shfaqje radikale të nevojës për protagonizëm dhe kjo shfaqe i mban ata në ato pozicione ku ata janë në drejtimin e opozitës.”
Sipas tij, “Kur një opozitë është në krizë, është e pakuptimtë që të kesh këtë pozicion relevant kur ti nuk po shërben si zgjidhje, por ti vetë je bartës i krizës. Opozita ka vite që nuk analizon veten e saj. Dhe kjo gjë ka ardhur duke u thelluar nga çdo opozitë në vend. Pra, gjykimi i opozitës është që, unë vetëm veten time nuk e shoh, veprimet e mia nuk i analizoj. Kur nuk analizon veten, veprimet e tua, kë do analizosh dhe kë do fajësosh kur gjërat shkojnë keq?!”
Zekthi e cilësoi të gjithë zhurmën politike si një përpjekje për të bindur publikun dhe mbështetësit që, sikurse u shpreh ai, “E gjithë kjo zhurmë është për ti treguar publikut shqiptar, sidomos votuesve të vet, që unë jam mbrojtësi më i madh, më i zjarrtë dhe më i ethshëm i juaj.”
Në këtë kontekst ai shtoi se opozita nuk ka debat të brendshëm dhe opozita është zvogëluar aq shumë, është mbledhur brenda vetes dhe është bunkerizuar duke mos reflektuar.
I pyetur për zgjedhjet e pjesshme në disa qarqe të vendit, përfshirë edhe Tiranën, Zekthi u shpreh se opozita “absolutisht nuk është gati.”
“Në dhjetë vitet e fundit, në të gjitha zgjedhjet që janë bërë në Shqipëri, opozita i ka humbur. Dhe nuk ka si të jetë gati në zgjedhjet e tjera. Më parë ka pasur dëshirë për të garuar edhe pse mund të humbisje zgjedhjet, ndërsa tani të gjithë i fshihen kandidimit. Edhe doktori Ilir Alimehmeti, një kandidat shumë i mirë, i respektuar me mbështetje, duket që ka ndrojtje dhe nuk ka dëshirë sepse e kupton situatën. Nuk është problem që PD-ja ka humbur zgjedhjet dhe mund të humbasë sërish zgjedhjet, por shihet që është një parti që është në rënie të vazhdueshme dhe rruga e saj është pa krye.”
Duke u ndalur tek qeveria “Rama 4”, Zekthi vlerësoi aftësinë e Ramës për t’u pozicionuar si partner i besueshëm në arenën ndërkombëtare, ndërkohë, sikurse u shpreh ai, “opozita nuk ka arritur të krijojë besueshmëri në sytë e ndërkombëtarëve”:
“Kryeministri Rama ka arritur me zgjuarsi dhe me mjeshtëri në këto vite, ta paraqesë veten si një partner i besueshëm i Bashkimit Evropian dhe liderëve të tjerë politikë. Në marrëdhëniet ndërkombëtare kryeministri Rama ka qenë i kujdesshëm, i zgjuar. Kjo ka bërë që ndërkombëtarët ta besojnë atë si një partner serioz. Kjo është shumë e mirë për Shqipërinë. Por pavarësisht kësaj, në gjykimin tim, ka shumë problematika të brendshme. Ndryshe ka ndodhur me opozitën që gjatë këtyre viteve ka qenë shumë e vështirë për ndërkombëtarët ta shohin atë si partnere të besueshme sepse për gjatë këtyre viteve ata vazhdimisht e kanë kundërshtuar komunitetin ndërkombëtar.”
Analisti Fitim Zekthi, kritikoi ashpër gjendjen e Parlamentit dhe mungesën e debatit politik, duke thënë se “Parlamenti ka shumë kohë që është kthyer në një situatë të neveritshme ku shumica e shqiptarëve nuk e shikojnë më këtë parlament“.
“Për vite të tëra, për shkak që ne vinim nga komunizmi, seancat plenare në Shqipëri janë ndjekur me kureshtje dhe interes të madh nga shoqëria. Ka qenë i mbushur me politikanë seriozë që dinin të bënin opozitën, por dinin të formulonin alternativa, apo edhe nga njerëz intelektualë që ishin pjesë e qeverisë.”
/rtsh.al/