E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Fitoi Nobel për Paqen, ndërron jetë diplomati i shquar amerikan, Henry Kissinger

Diplomati i njohur amerikan Henri Kissinger ka ndërruar jetë në moshën 100-vjeçare një natë më parë, në banesën e tij në Konektikat.

Kissinger personifikoi politikën e jashtme të SHBA-së gjatë administratave të presidentëve Richard Nixon dhe Gerald Ford, duke shërbyer si sekretar i shtetit i të dy presidentëve dhe duke fituar lavdi për sukseset diplomatike, por duke nxitur edhe polemika të shumta për pikëpamjet e tij politike mbi botën.

Henry Kissinger, një refugjat hebre i cili u largua nga Gjermania drejt SHBA për t’i shpëtuar përndjekjeve naziste, përveç diplomacisë ishte i njohur edhe si studiues dhe fitues i çmimit “Nobel” për paqe.

Përpjekjet e Kissinger gjatë kohës që mbante detyrën e sekretarit të shtetit çuan në hapjen diplomatike të SHBA-së me Kinën, bisedimet historike për kontrollin e armatimit bërthamor mes SHBA dhe Ish-bashkimit Sovjetik, zgjerimin e lidhjeve midis Izraelit dhe fqinjëve të tij arabë dhe Marrëveshjen e Paqes së Parisit me Vietnamin e Veriut.

Ndërsa shumë personalitete e përshëndetën Kisingerin për shkëlqimin dhe përvojën e tij të gjerë, të tjerë e cilësuan atë si kriminel lufte për mbështetjen e tij për regjimet me qasje diktatoriale veçanërisht në Amerikën Latine.

Në vitet e tij të fundit, udhëtimet e tij u kufizuan nga përpjekjet e kombeve të tjera për ta arrestuar ose marrë në pyetje rreth politikës së jashtme të SHBA-së.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›