E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fitorja e PS-së në sytë e një kosovari

Uran Haxha/qytetar

-Populli i Kosovës duket qartë i frustruar me fitoren e Edi Ramës ngaqë historikisht njihet që e përkrah Sali Berishën qysh nga njohja e tij me profesionin sekondar që shpejt u bë primar, atij të politikanit dhe liderit të parë dhe historik të PD-së. Kjo ndoshta rrjedh, sepse gjeografikisht Tropoja dhe Kosova janë shumë afër dhe mbiemri Berisha, i cili në Kosovë është tej mase prezent. Mund të duket shumë absurditet kjo e mbiemrit, por në Kosovë mund të jetë mbiemri ai që të fut në punë. Fitorja e PS-së erdhi ngaqë monotonia e një qeverie fillon e shfaqet pas mandatit të dytë. Për një klasë të njerëzve ishte e pritshme fitorja e Ramës, por jo edhe në bastionet e PD-së, sikurse Shkodra. Rama ka bërë një fushatë shumë aktive dhe mjaft funksionale, në të cilën protagonist nuk ishte vetëm ai, por edhe anëtarë të tjerë si, Ben Blushi, Gramoz Ruçi, Arta Dade, etj. Ndërsa nga fushata e Berishës mund të vëreje që protagonist ishte vetëm ai dhe anëtarët e tjerë nuk u vinte rendi të flisnin, apo të them më mirë, shumë pak. Berisha sulm kryesor kishte 3 Ligjet qëtashmë edhe fëmijët në kopsht i dinë. Ndoshta relaksi i hershëm e shtyu Berishën të mos ishte shumë eksplodues në fushatë dhe ky relaks ishte një "tortë e prishur". Batutat e tepruara mes dy kandidatëve erdhën duke u bërë mjaft monotone dhe banale. Mund të çudisë fakti që Sali Berisha, një personalitet që po lë gjurmë të mëdha në historinë e këtij vendi të merrej me gjëra personale dhe t'u kthehej veprimeve të Ramës me të njëjtën monedhë. Të jesh përkrahës i Ramës në Kosovë automatikisht mund të të shikojnë me një sy tjetër dhe këta janë shumë të rrallë apo u bënë brenda natës. Një prognozë e thjeshtë e postuar nga ana ime në një nga rrjetet sociale dhe në fund një Post Scriptum që të mos mendonin se jam socialist, nuk mjaftuan që të shmangnin apo të më akuzonin si socialist, sepse kisha favorizuar Partinë Socialiste. Shumica e kosovarëve janë shumë kuriozë tash të përcjellin PS-në si mazhorancë dhe PD-në si opozitë, ndoshta më aktive, si kurrë më parë. Por të jemi të qartë që Edi Rama po e merr Shqipërinë më mirë sesa e ka marrë Sali Berisha.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›