Fizionomia e filozofit!
• Inida GjataNjë filozofi e kuptuar qartë, zhvillon një filozofi të re! Por nëse mban vendin e fundit në radhë, në radhën e gjatë të filozofëve, do të mbahesh mend më pak! Të jesh i fundit i filozofëve është njëlloj si të jesh i fundit i njerëzimit. Eshtë njëlloj si të jesh vetëm zëmarrës i së vërtetës. Eshtë njëlloj si të deklarosh fundin e lojës. E lojës së dijes. Eshtë fundi i botës! ...Fizionomia e filozofit: dikush, që zgjedh heroin dhe ndërton ngjarjen e tij sipas vetes. Atë ia tregon të parit që sheh duke i nxitur atij përshtatjen e pikëpamjeve rreth çështjes, sipas vetes, në mënyrë që ai pas tij t'i dëshmojë atij pas vetes, sipas tij, magjepsjen pas historisë së rrëfyer prej heroit pararendës prej kristali. I cili me sy të gllabëruar nga dashuria për njerëzimin, udhëheq pasardhësit drejt mënyrës ideale të të jetuarit në një botë të ashpër e vulgare që të kërcënon. Eshtë pikërisht ky hero, ai që rikrijon heroin e mëparshëm, i cili do ta ketë dëgjuar e pësuar mrekullimin, teksa dëgjonte atë përpara tij, që me po të njëjtin heroizëm kristalin, riprodhonte sipas vetes vargje filozofike, heroike, kristalike! Mësime të destinuara për përshtatje! Feja është frymëzim! Predikimi është detyrim! Eshtë detyrim ndaj atij që të beson një të vërtetë, e që të ndihmon ta përtypësh dalëngadalë e të tretshme lehtë t'ia dorëzosh pasardhësit tënd, të cilit gjithashtu i detyrohesh sinqeritet të plotë! E që ta bësh këtë duhet të besosh se ajo që di ti është e vërteta dhe se e vetmja e vërtetë tek e cila ke besim të plotë është ajo që po rrëfen. Pra, mbi të gjitha duhet të kesh besim te njerëzit! E nëse ke besim te njeriu, tek Zoti beson verbërisht! Vetëm marrëdhëniet e ndërtuara mbi besimin reciprok janë ato që gëzojnë shëndet të plotë mendor, shpirtëror dhe fizik!P.S. Nëse ndonjë të habituri tani do t'i shkapërndizej poçi i kuq i skepticizmit, e në syçkat e tij do të lexonim pyetjen madhështore që bën çdo i rrezikuar nga të qenit i fundit në radhë: koha është Flori, pse duhet ta çoj për Zot?!Unë do t'i thosha se: floriri më i artë shkëlqen, prej vërtetësisë, tek sytë e një njeriu që të dëshmon praninë e Zotit!Se floriri më i florinjtë tringëllin si rrahje zemre kur galopon drejt dashurisë. Se me florinjtë e besimit i bën vend vetes në parajsë! P.S. Nëse ndonjë të godituri nga rrufeja e dyshimit do t'i buhisnin veshët nga Ndalesa: Mos beso!, unë do t'i thosha se: mosbesimi pasohet vetëm nga akte të pamundshme. Nga akte që të shpien kurrkund! Nga frenime gozhdë në vend! Ndërsa e kundërta e mosbesimit është akti që kryen teksa blen bukën me të cilën ushqehesh, tek një i panjohur! Teksa rruhesh nga dora e një të panjohuri! Teksa mëson të shkruash e të lexosh nga një i panjohur! Pse të dyshosh atëherë te dëshmia e një të panjohuri?!P.D. Nëse skema ime dikujt do t'i përngjasonte me sportelet e biletave ku në radhë pritet kuponi, shumë mirë. Do t'i thosha se ka imagjinatë euroatlantike.L.S.I. Por nëse ndonjë durimmadhi do t'i pulsonte semafori i verdhë që do ta mbante në radhë deri në fund, e rëndësia e të qenit pararendës nuk do ta çukiste, unë do t'i thosha se: të jesh zëdhënës, përçues, përcjellës, dëshmues e rrëfyes është shumë më mirë se sa të mbyllësh gojën e të ngadalësosh dinamikën e së vërtetës. Shoqëria është e ndarë në sisteme të ndryshme botëkuptimi. E nëse kjo (shoqëria) do ta tentonte globalizimin nëpërmjet besimit reciprok, atëherë nuk do të qe e nevojshme asnjë strukturë restriktuese. Asnjë organizëm mbrojtës. Asnjë (godinë) Ndëshkimore! Kështu shoqëria do ta zëvendësonte robërinë e mohimit me lirinë e ndërtimit. Heroi im prej kristali më mësoi se: nëse njerëzit do të bënin siç do Zoti, nuk do të ishin të nevojshëm policët. Dhe ai, nuk donte të dëshmonte se të keqen e mbajnë larg policët, por se të mirën e afron vetëm Zoti! A nuk është kjo një filozofi?! A nuk është kjo filozofia e gjithëmirësisë?! P.S. Nëse ndonjë barkthari do t'i përngjante me çorbë mendimi im, do t'i uroja me gjithë zemër t'i bënte mirë!