E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjala e Kryeministrit Berisha në mitingun përmbyllës të fushatës elektorale në Ballsh

Gjatë vizitës në Mallakastër, Kryeministri Berisha inauguroi përfundimin e rrugën Drenovë Fushë – Drenovë Mal, një investim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit me vlerë 860 milionë lekë. Rruga, 5.5 kilometra, lidh fshatin Drenovën të komunës Qendër me rrugën nacionale.

Më poshtë vijon fjala e Kryeministri Berisha në tubimin elektoral në Ballsh:

Përshëndetjet më vëllazërore, urimet më të përzemërta, mirënjohjen më të thellë dhe kënaqësinë e madhe që sot, në ditën e fundit të fushatës elektorale takohem me ju me besimin e madh te fitorja, fitorja juaj, fitorja e Mallakastrës, fitorja e Shqipërisë.

Le të ftojmë ne nga ky miting të gjithë qytetarët e Mallakastrës, socialistë, të paparti, të çdo bindje politike të bashkohen me ne në fitoren tonë dhe ta shndërrojmë atë fitore në mirëqenie për qytetarët e Mallakastrës dhe mbarë Shqipërisë, në rritje rrogash, në 700 dollarë rrogën e mësuesve, në 350 dollarë rrogën minimale, në rritjen e pensioneve, 150 dollarë pensioni minimal, rritjen me 50 përqind të ndihmës ekonomike, në dyfishim të pagesës për papunësinë, në krijimin e qindra mijëra vendeve pune në mbarë Shqipërinë, për punësimin e shqiptarëve dhe mallakastriotëve kudo që janë. Të bashkohen me ne të gjithë sëbashku për Mallakastrën e zhvilluar. Këto vite ne kemi investuar në Mallakastër dhjetëra herë më shumë se më parë, por këto vite ju keni investuar kova djerse sa kurrë ndonjëherë në tokat tuaja, në pronat tuaja dhe keni marrë rrugën e zhvillimit. Ne ju kemi mbështetur ju, kemi mbështetur mallakastriotët dhe të gjithë fermerët e Shqipërisë me grante për 45 mijë projekte. Ne ju japim fjalën se do të trefishojmë grantet për fermerët e Mallakastrës dhe të Shqipërisë.

Vëllezër e motra, zonja e zotërinj, socialistë të Mallakastrës, të pa parti dhe të çdo bindje politike, bashkohuni me ne! Në të katër anët e Mallakastrës ne kemi ndërtuar një infrastrukturë moderne. Natyrisht, nuk e kemi përfunduar atë, por të vazhdojmë sëbashku të lidhim Ballshin me autostradën, të ndërtojmë të gjitha rrugët e fshatrave të grave dhe burrave punëtorë të Mallakastrës, të ndërtojmë çdo shkollë që ka mbetur pa ndërtuar, qendra shëndetësore, të përdorim ujëmbledhësin e Lumarës për të furnizuar me ujë për vaditje dhe çdo gjë tjetër të gjithë Mallakastrën.

Mallakastriote dhe mallakastriotë,

Një ëndërr kemi më të madhen sot, ëndrrën e integrimit në Bashkimit Evropian. Sëbashku u anëtarësuam në NATO, sëbashku hoqëm vizat,  sëbashku merituam statusin e vendit kandidat. Na penguan, por më në fund ligjet u votuan dhe muajt që vijnë ne do të marrim statusin e vendit kandidat, do të hapim negociatat për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian, do të përfundojmë qindra milionë euro investime në rrugë, shkolla, kanalizime, ferma, biznese dhe investime në Shqipëri.

Qytetare dhe qytetarë të Mallakastrës,

Zhvillimi i çdo vendi, zhvillimi i çdo rrethi, zhvillimi i çdo fshati ka si kusht themelor rrugë moderne dhe ne po i rindërtojmë ato. Të vazhdojmë së bashku t’i përfundojmë ato. Zhvillimi ka si kusht të kushteve furnizim me energji elektrike pa ndërprerje dhe ne po furnizojmë. Të vazhdojmë së bashku për ta fuqizuar edhe më tej atë. Zhvillimi ka si kusht të të gjitha kushteve infrastrukturën ujore, furnizimin me ujë, vaditjen, kanalizimet. Ne kemi ecur shumë në këtë drejtim. Le të vazhdojmë së bashku për t’i ndërtuar përfundimisht ato. Zhvillimi ka si kusht jetik shkollimin më të mirë. Ne jemi në rrugë të mbarë. Kemi ndërtuar dhe rindërtuar 1300 shkolla, kemi 4-fishuar numrin e studentëve në universitete. Ne jemi në rrugë të mbarë dhe të vazhdojmë së bashku. Zhvillimi i një vendi, i një kombi, i një fshati, i një qyteti ka si kusht rritjen e mirëqenies, rritjen e të ardhurave. Ne po i rrisim ato, po rrisim rrogat dhe pensionet, po zgjerojmë bizneset, po zgjerojmë fermat. Jemi në rrugë të mbarë dhe të vazhdojmë sëbashku.

Socialiste dhe socialistë të Mallakastrës, të rrethit të Fierit dhe të mbarë Shqipërisë,

Ju ftoj miqësisht të mendoni për një çast, në 3 muaj fushatë ky kryetari juaj, a shqipëroi ndonjë herë rritje rrogash, a shqipëroi njëherë rritje të pensioneve, a shqipëroi ndonjëherë rritje të ndihmës ekonomike? Çfarë ju premtoi ai për fermat tuaja? Ai premtoi heqjen e TVSH-së, në mënyrë që ta marrin tregtarët dhe mos ta merrni ju. Ndërsa ne ju premtojmë TVSH-në me para në dorë për ju, akcizën me para në dorë për ju, trefishimin e granteve që ju të lulëzoni fermat tuaja.

Te reja dhe të rinj të Mallakastrës, të Fierit dhe të mbarë Shqipërisë,

Kujtohuni pak ç’ju ka mbetur në mendje nga premtimet tremujore të kryetarit të opozitës dhe shihni vetëm se do t’jua mbyllë dyert e universiteteve edhe do të rrënojë ëndrrat e 2/3 së të rinjve dhe të rejave, ëndrrat universitare tuajat, sepse do modelin e vjetër, do modelin e kohës së shkuar.

Të dashur qytetare dhe qytetarë të Ballshit, Mallakastrës dhe mbarë Shqipërisë,

Është dita të meditoni. Sali Berisha kërkon votën tuaj, jo për karrigen e tij, por kërkon votën tuaj të vazhdojmë projektet së bashku, të ecim në rrugën e zhvillimit, të ecim në rrugën e integrimit, sepse ne kemi faktuar se kemi ecur. Ndërsa shoku i autobusit mavi nuk premtoi asgjë, përveç karriges së tij dhe autobusit të tij.

Ndaj të bashkohemi të gjithë me 44-ën, numrin e fatit, numrin e integrimit, numrin e begatisë, numrin e punësimit, numrin e zhvillimit.

Rrofshi ju!

Rroftë Mallakastra!

Rroftë Shqipëria!

Fitore! Fitore! Fitore!


21/06/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›