Fjala e Kryeministrit Berisha në punimet e Kongresit XX të PPE, në Marsejë
Kryeministri Berisha, i cili ndodhet për një vizitë në Francë, iu drejtua sot pasdite me një fjalë punimeve të Kongresit XX të Partive Popullore Evropiane,në Marsejë.
Kongresi XX i PPE-së po diskuton mbi situatën ekonomike në Evropë dhe çështjen e një forcimi politik dhe integrimi të mëtejshëm ekonomik, fiskal e social, si një përgjigje ndaj krizës ekonomike në eurozonë. Dokumenti mbi bazën e të cilit u fokusuan diskutimet në këtë Kongres i referohet tematikës; Ta çojmë Evropën përpara - Një Evropë më e fortë, për të ruajtur vlerat dhe mbrojtur interesat e vendeve.
Moderatorja e punimeve të Kongresit, duke ftuar Kryeministrin Berisha të merrte fjalën në këtë Kongres, u shpreh se, gjatë këtyre viteve, Shqipëria ka bërë shumë progres dhe është më afër se kurrë drejt BE-së, falë punës së shkëlqyer të qeverisë aktuale. Këto arritje janë njohur nga Bashkimi Evropian dhe nga bota, pavarësisht sjelljes anti - demokratike të socialistëve në Shqipëri.
Kryeministri Berisha, duke përshëndetur pjesëmarrësit në këtë Kongres, bëri një paraqitje të zhvillimeve dhe ecurisë së Shqipërisë përgjatë viteve të fundit. Kryeministri u ndal në zhvillimin ekonomik të vendit, nxitjen e investimeve, reformat ne sistemin e taksave, në dogana, në luftën kundër informalitetit, zhvillimin e turizmit, etj.
Gjithashtu, Kryeministri vuri në dukje se Shqipëria po punon shumë për një projekt që është projekti i këtij shekulli, integrimi i vendit në Bashkimin Evropian. “Projekti i integrimit të Shqipërisë në BE është i vetmi projekt madhor për vendin tim”, u shpreh Kryeministri.
Në fjalën e tij të plotë, Kryeministri Berisha u shpreh:
I dashur zoti President,
Të dashur kolegë,
Të dashur miq,
Shqipëria ka pasur të kaluarën dhe trashëgiminë më të vështirë. Përpara 20 viteve, vendi e nisi këtë rrugë si një nga vendet më të shkatërruar nga diktatura, me të ardhura për frymë prej 204 dollarë amerikanë. Nuk ka pasur një bulevard të gjerë, ka pasur një rrugë të vështirë, por ende një rrugë shumë të suksesshme. Suksesi ndërtohet para së gjithash falë principeve që janë vendosur në themelet e tij.
Vendi im tani është një vend tjetër, është një vend me të ardhura për frymë prej 8000 dollarësh amerikanë, është një vend me një nivel varfërie prej 12.5 %, është një vend me një rritje të qartë kristal të jetëgjatësisë, është një vend ku jeta ka ndryshuar jashtëzakonisht shumë. Gjatë këtyre 20 viteve, vendi ka provuar si socializmin, ashtu edhe të djathtën e qendrës. Do t’ju jap disa të dhëna për këtë.
Shqipëria, gjatë qeverisjes socialiste, në vitet 1997-2005, ka pasur 38 milion dollarë investime të huaja direkte. Vitin e kaluar ishte i vetmi vend në rajon me një rritje të investimeve të huaja direkte, 1 miliardë e 97 milionë dollarë amerikanë.
Shqipëria është një vend shumë i bukur, por në vitin 2004 pati gjithsej 300 mijë turistë dhe vizitorë, ndërsa vitin e kaluar vendi im pati 3.5 milionë turistë.
Ekonomia e Shqipërisë mbytej nga taksat e larta dhe informaliteti. Pasi vendosëm taksën e sheshtë prej 10%, dhe ulëm shumë lloje taksash, rezultati ishte: në vitet 2006-2010, ne mblodhëm rreth 7 miliardë dollarë më shumë se qeveria e mëparshme. Të ardhurat në katër vite nga doganat dhe taksat u dyfishuan.
Ne kemi vuajtur nga zgjedhjet, por zgjedhjet e vitit 2009 u kualifikuan si zgjedhjet që kanë përmbushur shumicën e standardeve të OSBE, si zgjedhje ku nuk ka pasur dëshmi për manipulime ose numërim të parregullt. Zgjedhjet e vitit 2011 u konsideruan si konkurruese dhe të drejta, ndonëse me disa probleme teknike.
Shqipëria po punon shumë për një projekt, që është projekti i këtij shekulli, integrimi në BE. Në të gjitha përpjekjet tona ne kemi pasur mbështetje, ndihmë të madhe nga Presidenti Martens, Presidenti Joseph Daul, parti simotra dhe ju jemi shumë mirënjohës për këtë.
Por më lejoni të theksoj një moment. Gjithë jetën time politike, si një njeri i lirë, kam besuar se Evropa përbëhej kryesisht nga e djathta qendrore, por alternativa, ishte gjithashtu jetësore për sigurinë e demokracisë në këtë kontinent. Kështu, mendoja se socialistët evropianë, për aq kohë sa respektojnë shtetin ligjor, janë për të mbrojtur votën. Pas vitit 2009, të dashur miq, lideri i opozitës socialiste, mbajti qëndrimin që nuk i njihte zgjedhjet. Në të njëjtën kohë, ai mblodhi Kongresin, ndryshoi statutin, në të cilin shkruhej: nëse lideri humbet zgjedhjet, ai duhet të jap dorëheqjen; dhe vendosi një nen: kur lideri humbet zgjedhjet, kur partia humbet zgjedhjet, lideri nuk duhet të japë dorëheqjen. Ky ishte problemi i tij, jo i imi. Filluam dialogun në Parlamentin Evropian me të dyja grupet, me besimin tim të thellë, që pavarësisht spektrit, vota e lirë është e njëjtë për të gjithë. Fatkeqësisht, duhet t’ju them që ky nuk ishte rasti i disa socialistëve atje. I jam mirënjohës Joseph Daul, që në një moment kyç u ngrit dhe tregoi të vërtetën se çfarë ndodhi.
Projekti i integrimit të Shqipërisë në BE është i vetmi projekt madhor për vendin tim. Opozita, pasi humbi zgjedhjet lokale, me një humbje shumë të gjerë, pranoi ekzaktësisht atë çfarë unë u kisha ofruar përgjatë dy viteve. Por, përgjatë dy viteve statusi u bllokua, sepse ata kurrë nuk pranuan të votonin asnjë reformë të BE në parlament. Ata nuk pranuan të votojnë në parlament.
Megjithatë, tani falë zgjedhësve shqiptarë, jeta i është kthyer normalitetit, mësimet u nxorën dhe ju siguroj se ne mbetemi të angazhuar dhe do të qëndrojmë me principet që ndajmë së bashku.
Zoti President,
Shqipëria është një vend që dëshiron t’i jap kontribute rajonit të Magrebit. Ne kemi pasur lidhje historike me këto vende. Ata janë vende multi fetare, siç jemi ne. Forcat e reja që kanë dalë pas pranverës arabe, po shohin sa kompatibël është islami me vlerat demokratike. Në dialogun tonë me ta, ne jemi padyshim të prirur për të punuar. Shqipëria së shpejti do të kryesojë Këshillin e Evropës, po punon me njerëz të rëndësishëm në Këshillit të Evropës për një kartë, në mënyrë që të punojë me këto vende, me shpresën më të mirë se Këshilli i Evropës, me think tanket e tij, mund të sigurojë një mbështetje të madhe për ta në rrugën e zhvillimit demokratik.
Po e mbyll duke përshëndetur NATO-n, për ndihmën e jashtëzakonshme që i ka dhënë popullit libian. Ka ardhur koha që të gjithë ne të pranojmë se baza, esenca e rregullit ndërkombëtar, janë të drejtat e njeriut. Jam i bindur se pa atë ndërhyrje, atë mbështetje, ne do të numëronim tani, jo 30 apo 40 mijë të vdekur, por ndoshta 300-400 mijë të vdekur, nga klika e kolonel Gedafit. Unë shpresoj se diktatori sirian do përballet me të njëjtën gjë. Babai i tij vrau 20 mijë nga njerëzit e tij para disa vitesh dhe Asadi i ri është gati ta ndjekë atë, prandaj ata njerëz kanë nevojë për ndihmë. NATO përfaqëson të drejtat e njeriut, i përfaqësoi ato në Kosovë, në Libi dhe mendoj se ky do të jetë një kontribut historik për lirinë e sirianëve dhe jo vetëm atyre.
Faleminderit shumë”.
07/12/2011