Flaka jubilare

Autori i logos fituese, Zeni Ballazhi është shprehur se ndjehet i privilegjuar dhe i lumtur që ka fituar këtë çmim.
Artisti Ballazhi, i lindur në Kërçovë të Maqedonisë, i cili jeton në Prishtinë, ka thënë se nuk e ka pritur që do të jetë fitues i logos, e cila do ta përcjellë shënimin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Ai ka thënë se në këtë konkurs kishte konkurruar me disa versione, por që, sipas tij, ai që është përzgjedhur nga komisioni ka qenë më i miri. Ballazhi ka thënë për Kosovapress se dëshira dhe vullneti i madh e ka shtyrë të jetë pjesë e këtij konkursi.
“Si dizajner kam bërë disa variante dhe thjesht nuk e kam pritur që do të jem fitues. Në këtë rast jam i privilegjuar dhe ndjehem mirë dhe i emocionuar sidomos në këtë kohë. Unë i përkas një gjenerate që i kam përjetuar edhe studimet duke përcjellë faktikisht vendet e ndryshme ku jetojnë shqiptarët”, ka thënë Ballazhi.
Duke komentuar punimin e tij, Ballazhi ka thënë se logoja e përzgjedhur paraqet shqiponjën në formën e një flake jubilare, e cila i përngjan një trofeu.
“Me festimin e 100-vjetorit të pavarësisë thjeshtë me lindi kjo ide, duke e shprehur në mënyrën sa më të thjeshtë sa më bashkëkohor e cila stilizon një flakadan apo një festë e cila është e përbërë nga ngjyrat e flamurit kombëtar - Kuq e Zi. Është një simbol tepër festiv dhe tepër modern për mendimin tim. Kështu them se pavarësisht që nuk i di konkurrentet tjerë dhe nuk i di se si janë dukur punimet tjera, mirëpo besoj se me këtë logo kanë bërë një zgjedhje të duhur”, ka thënë ai.
Për më tepër, ai ka thënë se është sprovuar në shumë konkurse të ngjashme në Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë, ku së fundmi ishte edhe finalist në konkursin për simbolet e Republikës së Kosovës.
“Kjo mund të jetë një shtytje, e cila mua më jep mundësinë të jap edhe më tepër se sa kaq që të krijoj edhe më shumë rreth dizajnit dhe artit në përgjithësi. Unë besoj dhe shpresoj se jo vetëm tek unë por edhe te të tjerët kjo mund të jetë një shtytje në kuptimin profesional që jep mundësi me u marrë me këtë profesion”, ka thënë Ballazhi.
Përpos përdorimit me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, logoja do të përdoret edhe në shkresa zyrtare të shteti shqiptar.
Konkursi për logon “100 vjet shtet shqiptar” u shpall nga Galeria Kombëtare e Arteve, më datë 16 dhjetor 2011. Në konkurs morën pjesë 25 artistë dhe studio grafike nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Punimet u shqyrtuan më datë 28 dhjetor, nga Komisioni i Konkursit përzgjedhës për punimin më të mirë të logos “100 vjet shtet shqiptar”, i përbërë nga Rubens Shima – Kryetar (Drejtor i GKA, Tiranë), prof. Luan Malltezi – anëtar (drejtor i MHK, Tiranë), prof. Gazmend Leka – anëtar (pedagog në Universitetin e Arteve, Tiranë), Ylli Drishti – anëtar (studiues dhe kritik arti, GKA, Tiranë) dhe Ylli Beqiri – anëtar (shef sektori në MTKRS).
Zeni Ballazhi ka lindur në Kërçovë të Maqedonisë, ka mbaruar studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë. Pastaj më 13 qershor të vitit 2000 merr titullin Magjistër i Arteve me titull pune “Pa titull” në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës. Viteve të fundit, Ballazhi punon edhe si kritik i arteve vizuale për artistë të veçantë. Është artist vizuel dhe momentalisht punon ne Galerinë e Arteve të Kosovës.