E Hënë, 2 Nëntor 2026

Flakët përfshijnë një pikë grumbullimi gomash në Fushë-Milot, zjarrfikësit në terren

Një zjarr ka rënë mbrëmjen e kësaj të hëne në zonën e Fushë-Milotit, ku flakët kanë përfshirë një grumbull të madh gomash makinash. Ngjarja ka shkaktuar një sasi të konsiderueshme tymi të zi dhe të dendur, i cili ka mbuluar një pjesë të rrugës kryesore.

Si pasojë e tymit, qarkullimi i automjeteve në aksin rrugor Lezhë-Laç është vështirësuar ndjeshëm, duke kërkuar kujdes të shtuar nga drejtuesit e mjeteve.

Reagimi i shërbimeve

Menjëherë pas sinjalizimit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse të Kurbinit, të cilave u janë bashkuar edhe zjarrfikësit e Lezhës.

Ekipet po punojnë intensivisht për shuarjen e flakëve dhe për të parandaluar përhapjen e zjarrit në zonën përreth, duke pasur parasysh rrezikshmërinë e madhe të djegies së gomave.

Fatmirësisht, deri në këto momente nuk raportohen persona të lënduar.

Në terren ndodhet edhe Policia, e cila ka nisur punën për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të rënies së zjarrit. Ende nuk dihet se çfarë e shkaktoi këtë incident.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›