Flamingo e plagosur po trajtohet në qendrën e rikuperimit të shpendëve në “Divjakë-Karavasta”

TIRANË, 10 dhjetor/ATSH/ Pas sinjalizimeve të marra fundjavën që lamë pas për një flamingo të gjetur në Lushnjë, stafi i Administratës së Zonave të Mbrojtura Fier është kujdesur menjëherë për t’i ardhur në ndihmë.
Sipas AdZM Fier, flamingo u transportua pranë qendrës së rikuperimit të shpendëve, në Parkun Kombëtar “Divjakë-Karavasta”, e vetmja e këtij lloji në Shqipëri ku trajtohen shpendët të sëmurë ose të plagosur.
“Në këtë qendër flamingo po merr shërbimin e nevojshëm shëndetësor”, tha AdZM Fier.
Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta, një zonë e mbrojtur që shtrihet si një hark i gjelbër anës detit Adriatik, njihet si një nga zonat e mbrojtura me popullimin më të madh të flamingove, zogjtë me qafën e hollë dhe të harkuar dhe me këmbët e hijshme.
1 nga 2/k.s//a.f/