E Diel, 1 Nëntor 2026

Flamur Noka: Regjistrimi i fermave bujqësore, ndikim në zhvillimin e ekonomisë

11-08-2012 / Gazeta 55

Ministria e Brendshme dhe INSTAT nisin regjistrimin e fermave bujqësore. Drejtoresha e INSTAT: Rezultatet e para pritet të dalin me 17 tetor

Më 1 shtator do të nisë në terren puna për regjistrimin e njësive ekonomike jo bujqësore. E thënë më thjeshtë, INSTAT do të marrë të dhëna konkrete për çdo fermë në rang vendi si dhe të dhëna për karakteristikat e secilës prej tyre.
Në këtë kuadër Ministria e Brendshme në bashkëpunim me INSTAT organizuan një takim me përfaqësues të të gjithë drejtuesve vendorë, të cilët do të japin mbështetjen e tyre për realizmin sa më korrekt të këtij procesi.
Në këtë takim ishte i pranishëm edhe Ministri i Brendshëm, Flamur Noka, i cili kërkoi bashkëpunimin e drejtuesve lokal.
Gjatë fjalës së tij ai tha se kjo është një iniciativë që shërben për një mirëmenaxhim të të gjithë territorit. “Ky ligj rregullon organizimin dhe realizimin e regjistrimit të përgjithshëm të njësive ekonomike bujqësore brenda territorit duke synuar të sigurojë informacion të përgjithshëm dhe të hollësishëm për njësitë ekonomike, si dhe të ofrojë të dhëna të besueshme statistikore, të nevojshme për planifikimin dhe vënien në zbatim të politikave të përgjithshme të zhvillimit ekonomik”, tha Noka.
Sipas ministrit të Brendshëm, ky regjistrim do të ketë një ndikim të veçantë në mbarëvajtjen e ekonomisë bujqësore.
“Regjistrimi i ekonomive bujqësore do të ndikojë mjaft pozitivisht, jo vetëm në mbarëvajtjen e ekonomisë shqiptare në tërësi, por kryesisht në atë bujqësore në veçanti”, deklaroi midis të tjerave Ministri i Brendshëm, Flamur Noka, gjatë takimit me kryetarët e Qarqeve dhe kryetarët e bashkive lidhur me fillimin e procesit të regjistrimit të ekonomive bujqësore.
Sipas tij, “edhe pse fillesa e kësaj iniciative daton në herët, kur me asistencën e Bashkimit Europian u hartua kuadri ligjor, sot ajo po merr formën e saj të plotë dhe konkrete të zbatimit. Ecuria e qëndrueshme dhe me ritme të larta e ekonomisë shqiptare në këto vite të fundit, bën të nevojshme përmirësimin dhe konsolidimin e infrastrukturës që e mbështet atë”, tha Noka.
Ai theksoi se, “regjistrimi i përgjithshëm i njësive ekonomike bujqësore, është një tjetër iniciativë e Qeverisë për një mirëmenaxhim të të gjithë territorit”.
Noka tha se, “ky ligj rregullon organizimin dhe realizimin e regjistrimit të përgjithshëm të njësive ekonomike bujqësore brenda territorit dhe synon të sigurojë informacion të përgjithshëm dhe të hollësishëm për njësitë ekonomike”.
Gjithashtu sipas tij, “ligji ofron të dhëna të besueshme statistikore, të nevojshme për planifikimin dhe vënien në zbatim të politikave të përgjithshme të zhvillimit ekonomik”.
Në këtë kuadër, ministri i Brendshëm tha se, regjistrimi i përgjithshëm i njësive ekonomike bujqësore ndihmon në konsolidimin dhe forcimin e tyre dhe, në të njëtën kohë, i krijon Qeverisë shqiptare dhe institucioneve të tjera mundësi për hartimin e politikave sa më efikase të zhvillimit, në nivel kombëtar dhe lokal.
Noka kërkoi angazhimin maksimal të të zgjedhurve vendorë dhe marrjen e të gjitha masave që do të garantojnë përmbushjen me sukses të këtij regjistrimi.
Sipas tij “institucionet qendrore, veçanërisht INSTAT ka mobilizuar burime njerëzore, administrative e logjistike”.
 “Roli juaj në procesin e regjistrimit është thelbësor. Por ky rol kërkon nga ju dhe administratat tuaja që të merrni të gjitha masat në kohën e duhur për realizimin me suksese të këtij procesi. Në emër të institucionit që unë drejtoj ju garantoj se do të keni mbështetje të plotë. Masat e marra deri tani nga ana jonë, në bashkëpunim edhe me INSTAT janë të plota dhe sigurojnë funksionimin korrekt të Komisioneve përkatëse”, u shpreh Noka, gjatë fjalës së tij.
Vetëm gjatë këtij procesi do të punësohen në gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë rreth 3500 Anketues, 750 Kontrollorë dhe 69 Mbikëqyrës.
Në zbatim të VKM-ve përkatëse, jo më vonë se data 12 gusht duhet të ngrihet dhe të fillojë nga puna Komisioni i Regjistrimit të Përgjithshëm të Njësive Ekonomike Bujqësore në nivel qarku, i cili drejtohet nga Kryetari i Këshillit të Qarkut.
Ndërkohë, jo më vonë se data 22 gusht, duhet të ngrihen dhe të fillojnë nga puna Komisionet  Regjistrimit të Përgjithshëm të Njësive Ekonomike Bujqësore në bashki e komuna, të cilët do të drejtohen ekskluzivisht nga Kryetarët e njësive vendore përkatëse. Regjistrimi i njësive ekonomike bujqësore do të shërbejë për konsolidimin e statistikave të sakta, që do të nevojiten në hartimin e politikave nga ana e qeverisë apo institucioneve të tjera. Po ashtu, procesi i regjistrimit ka një rëndësi të madhe edhe për vetë drejtuesit vendore, të cilët do të kenë mundësi që nismat e ndërmarra t’i bazojnë në të dhëna, në shifra dhe fakte reale.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›