E Hënë, 2 Nëntor 2026

Flamurtari, fitore shprese përballë Bylisit

Flamurtari ka arritur të marrë tri pikët përballë Bylisit me një fitore 1-0 në javën e 11-të të “Abissnet Superiore”, një ndeshje që erdhi për shikuesit në ekranin e RTSH Sport.

Në pjesën e parë skuadra vlonjate u shfaq më kërkuese dhe mund të kishte shënuar pas gjysmë ore lojë, por Oshafi e më pas Murataj u treguan të pasaktë në tentativën e tyre. Nga ana e tyre ballshiotët menduan më shumë për fazën mbrojtëse, bënë shumë pak për të shqetësuar seriozisht portën vlonjate.

Në pjesën e dytë, pas disa minutash të qeta, Flamurtari arrin të gjejë rrugën e rrjetës. Pas goditjes së Trashit që u ndal nga shtylla dhe pas rrëmujës së krijuar në zonën ballshiote, Maksuti përfiton dhe godet saktësisht, 1-0.

Reagimi i Bylisit është i vakët, ndërsa vlonjatët i afrohen golit të dytë me anë të Markut, por traversa i ka ardhur në ndihmë portierit Vashu.

Sfida mbyllet me fitoren 1-0 të vlonjatëve. Një fitore shprese që i ngjit në kuotën e 8 pikëve, në vendin e 9-të. Bylisi mbetet në kuotën e 12 pikëve në vend ë 6-të.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›