Flamurtari përmbys finalet

Titulli kampion i futbollit të sallës për sezonin 2022-2023 kërkon ndeshjen e tretë për të përcaktuar fituesen e kësaj gare. Ka ndodhur kështu, sepse në mënyrë surprizë dhe ndoshta papritur, Flamurtari ka fituar në mbrëmjen e së enjtes 2-1 ndaj Tiranës në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”. Gjithçka është vendosur në dy minuta. Shënon Gjoklaj për Flamurtarin, barazon Kaca me penallti dhe në aksionin e fundit të kuqezinjve kapiteni bardheblu realizon në portën e tij. Trajneri i Flamurtarit, Mario Kalus, menjëherë pas ndeshjes ka treguar se çfarë ndryshoi në skuadrën e tij krahasuar me takimin e parë fituar nga Tirana, 9-3.
“Çelësi I suksesit në këtë duel ishte karakteri, Deri këtu kemi ardhur falë tij prandaj duhet që të vazhdonim në të njëjtën rrugë”, tha Mario Kalus menjëherë pas duelit.
Po ku qëndroi më lart Flamurtari se sa Tirana në ndeshjen e dytë? Kalus e ka një përgjigje: “Ishim superior në të gjitha drejtimet. Dua që të falenderoj Lorenc Shehajn pasi sot (dje) bëri një lojë të mrekullueshme”.
Ndërkohë futbolli i sallës vazhdon të prodhojë tensione. Kjo që nga mosakordimi i faullit të gjashtë të Flamurtarit pas ndërhyrjes së Mërtirit ndaj Karlo Kalus. Tek faulli i gjashtë i Tiranës, që solli barazimin e rezultatit, ndërsa tekniku Mario Kalus kërkonte largimin e skuadrës nga fusha e lojës dhe u ndëshkua me karton të kuq. E deri tek tensionet e fundit të lojës. Por kur do të shpëtojë futbolli i sallës nga këto tensione, që në fakt janë të pranishme në çdo finale? “Në këto çaste të bukura nuk dua që të komentoj për episode në lidhje me arbitrimin”, tha Kalus.
E ndërkohë ndeshja e tretë në Vlorë, Kalus është i bindur se trofeu është i Flamurtarit. “Nuk do të gabojmë dy herë dhe për këtë motiv them se do të fitojmë ne në Vlorë. Synimi ynë është titulli”, tha Kalus duke i lënë kështu takim Tiranës në duelin e radhës.