E Diel, 1 Nëntor 2026

Flet përmbaruesi: Si u shpëtuam plumbave të 70-vjeçarit në Kavajë

TIRANE-E kishte parapërgatitur çdo gjë... As tani nuk e kuptoj se si arritëm të dilnim të gjallë nga dhoma". Kështu e ka përshkruar përmbaruesi Zyber Shehu, momentin para se 70-vjeçari në Kavajë të qëllonte mbi policinë dhe më pas edhe veten. Përmbaruesi në një prononcim për 'Gazetën', ka rrëfyer momentet nga ngjarja e dy ditëve më parë në Kavajë, ku forcat e policisë u ndjenë të rrezikuara nga plumbat e armës së Enver Shaljanit. Sipas Shehut, i moshuari e kishte planifikuar çdo gjë, pavarësisht se në fytyrë ruante qetësi. Shehu tregon se ata kanë arritur të shpëtojnë vetëm nga paralajmërimi i administratorit të lagjes, i cili ka parë tytën e pushkës, me të cilën ka qëlluar 70-vjeçari.
Dy ditë më parë, Enver Shaljani ka qëlluar mbi përmbaruesit që kishin shkuar për të ekzekutuar urdhrin e gjykatës, sipas së cilës banesa e të moshuarit duhej t'u kthehej tre ish-pronarëve të saj. 70-vjeçari pasi i ka vënë flakën banesës ku jetonte prej shumë vitesh, plumbin e fundit e ka lënë për vete, duke i dhënë fund jetës.
Ku e gjetët atë ditë Enverin?
E gjetëm tek kafja. Ishte shumë i qetë. I treguam se për çfarë kishim shkuar dhe ai fare qetësisht nuk kundërshtoi.
Po më pas si vijoi ngjarja?
Pasi komunikuam tek kafja me atë, na kërkoi që të takoheshim me pronarin, sepse na tha që me ne nuk kishte punë. 'Ju zbatoni ligjin, - na tha, - prandaj dua që të takohem me pronarin. Ku është?'.
Nuk ia tregova, sepse mendova se mos kishim probleme. Tani që e mendoj, them më mirë që nuk ia treguam, sepse ai do e kishte vrarë atë. Pastaj shkuam në banesë.
Çfarë ndodhi aty?
Kur shkuam në banesë, ai u shfaq shumë i qetë, edhe në fytyrë dukej i qetë. U ulëm me atë dhe me administratorin që të diskutonim për banesën. Kishim vendosur që një dhomë t'ia linim atij deri sa të gjente një vend tjetër për të jetuar. Vendosëm që edhe ta ndihmonim për transferimin e rrobave, sepse kishte shumë orendi gjithandej.
Ju po thoni se ai ka qenë me ju duke diskutuar, ku e gjeti armën që ju qëlloi?
Në momentin që ishim duke diskutuar planin e zhvendosjes së sendeve të tij, ai u shkëput për një moment nga ne dhe shkoi lëvizi diçka, më duket se dyshekun. Aty do ketë marrë armën, të cilën patjetër e ka mbushur që më parë, sepse unë nuk dëgjova që ta mbushte në atë moment. Ne ishim jashtë dhomës ndërkohë, duke bërë muhabet dhe duke rënë dakord me bashkëpronarin për t'i lënë një dhomë atij. Në momentin që ne ishim duke diskutuar këto, administratori pa tytën e pushkës që mbante në dorë ai. "Dilni, shpejt se na vrau", na tha administratori. As vetë s'e di se si kemi dalë nga banesa aq shpejt.
A qëlloi ndaj jush 70-vjeçari?
Kur nuk kishim dalë ende nga oborri i shtëpisë, ai qëlloi ndaj nesh. Nuk e di se si nuk na zuri asnjë plumb. Ai qëllonte ndaj nesh pa thënë asnjë fjalë.
Po ju qëlluat ndaj tij?
Jo, ne nuk qëlluam, vetëm ai qëlloi ndaj nesh.
Kur e morët vesh që kishte qëlluar veten?
Pasi po qëllonte ndaj nesh, ne dolëm jashtë oborrit dhe po rrinim aty. Kur nuk dëgjuam më të shtëna, hapëm derën dhe e gjetëm të shtrirë në tokë dhe të mbuluar me gjak. Kishte qëlluar veten poshtë mjekrës.
Pse nuk e kishit lajmëruar që më parë policinë?
Nuk e lajmëruam, sepse nuk na shkoi mendja se do të shkonin kështu gjërat mes nesh. Nuk ishte hera e parë që ne shkonim tek shtëpia e tij, ku jetonte prej më shumë se 20 vitesh, ishte hera e pestë. Nuk ka debatuar me ne, ka qenë njeri i qetë. Por ai e kishte vendosur që më parë se do të na vriste, madje jo ne, por pronarët, sepse ka pasur probleme me ata që prej shumë vitesh. Policia ishte diku rrotull, por nuk e lamë të afrohej, me idenë se ai nuk do të kundërshtonte.
A keni ndeshur raste të tilla gjatë ushtrimit të profesionit tuaj?
Jo, asnjëherë. Kam shumë vite që punoj si përmbarues dhe kjo është hera e parë që unë u gjenda në një situatë të tillë.
Ne jemi goditur në mënyrë të pabesë prej tij, sepse në të kundërt do të kishim marrë masat, duke kërkuar prezencën e policisë. 

Enver Shaljani, 70 vjeç, dy ditë më parë i ka dhënë fund jetës së tij duke u vetëqëlluar në kokë me një pushkë. Nga hetimet e deritanishme nga blutë e Kavajës bëhet me dije se 70-vjeçari jetonte prej vitesh në zonën e tregut në Kavajë, në banesën e tre ish-pronarëve, të cilët kishin fituar të drejtën për të marrë pronën e tyre.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›