Fluks i lartë automjetesh në Lezhë për sezonin turistik, Dervishi: Përdorni rrugë alternative

TIRANË, 19 gusht /ATSH/ Turistët e shumtë të cilët kanë zgjedhur Lezhën dhe zonat përreth, kanë rënduar qarkullimin e mjeteve në rrugë. Në këto kushte, Policia Rrugore ka shtuar shërbimet në terren, me qëllim menaxhimin e fluksit dhe shmangien e krijimit të radhëve të gjata në pikat më problematike.
Monitorimi po bëhet në mënyrë të vazhdueshme, duke ndërhyrë për të lehtësuar qarkullimin aty ku krijohen ngarkesa.
“Tani po ndihet plotësisht ngarkesa, çdo ditë të javës është pothuajse njëlloj. Kemi marrë masa me të gjithë punonjësit që kemi në dispozicion me orare 12 orësh. Pika më problematike është Shëngjini”, tha për mediet Altin Dervishi, shef i qarkullimit rrugor në Lezhë.
Pas kufizimit të lëvizjes së mjeteve të tonazhit të rëndë gjatë fundjavës, në rrugët e qarkut rikthehet një numër i konsiderueshëm kamionësh, përfshirë edhe mjete që hyjnë nga pikat kufitare me Malin e Zi.
“Dita e hënë na është bërë një fenomen i paparë më parë, për shkak se gjatë fundjavës është kufizimi i mjeteve të tonazhit të lartë dhe ka më shumë lëvizje. Të gjitha mjetet e rënda që futen nga dy pikat e kalimit kufiar me Malin e Zi lëvizin të gjithë të hënën në mëngjes. Respektoni rregullat e qarkullimit dhe shpejtësinë si dhe pijet alkoolike”, u shpreh Dervishi.
Policia jep edhe rekomandime për përdorimin e rrugëve alternative.
“Rrugët alternative që unë i sugjeroj janë aksi i vjetër Milot-Lezhë, dalja e kryqëzimit të Shaljanëve deri tek (Mplusi) kur kthehen nga Shëngjini”, tha ai.
/m.q/j.p/r.e/