E Diel, 1 Nëntor 2026

Fluks i lartë në pikat kufitare të juglindjes dhe jugut, lëvizje të pandërprera në Kapshticë dhe Qafë Botë

TIRANË, 15 gusht/ATSH/ Fluksi i lëvizjeve vijon të jetë i lartë këtë të shtunë në pikat kufitare të vendit, në kushtet e sezonit të pikut turistik, me përpunim të pandërprerë të mjeteve dhe udhëtarëve.

Dega Doganore Kapshticë bën të ditur se në këtë pikë kufitare vijon përpunimi i pandërprerë i automjeteve dhe udhëtarëve që kalojnë në të dyja drejtimet, me qëllim përballimin e fluksit të shtuar të lëvizjeve.

Sipas Doganës Shqiptare fluks i lartë është regjistruar edhe në Pikën e Kalimit Kufitar të Qafë Botës, në jug të vendit. Gjatë orëve me fluks më të madh, drejtuesit e automjeteve dhe pasagjerët janë përballur me pritje për kryerjen e procedurave kufitare.

Lëvizjet në Qafë Botë janë shtuar si në drejtim të Greqisë, ashtu edhe në hyrje të territorit shqiptar.

Dogana njofton se degët doganore vijojnë punën për përpunimin e mjeteve dhe udhëtarëve, ndërsa fluksi i lartë pritet të vijojë gjatë fundjavës, për shkak të lëvizjeve të shtuara të sezonit veror. Sipas medieve në Pikën e Kalimit Kufitar të Qafë Botës, gjatë 24 orëve të fundit, kanë hyrë dhe dalë rreth 10 mijë shtetas shqiptarë dhe të huaj.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›