E Diel, 1 Nëntor 2026

Fluks i lartë turistësh në Ksamil, bukuritë e Jonit tërheqin vizitorë nga e gjithë bota

TIRANË, 28 korrik/ATSH/ Sezoni turistik veror ka sjellë një fluks të lartë pushuesish në këto ditë të fundit të korrikut në Ksamil, një nga destinacionet më të frekuentuara të bregdetit shqiptar.

Ujërat e kristalta të detit Jon, ishujt e vegjël përballë bregut dhe peizazhi natyror vijojnë të jenë ndër arsyet kryesore që turistët zgjedhin Ksamili për pushimet verore.

Që në orët e para të mëngjesit, plazhet mbushen me pushues, të cilët shijojnë detin, diellin dhe aktivitetet turistike që ofron zona.

Gjatë këtij sezoni, në Ksamil vërehet një prani e lartë e turistëve nga vende të ndryshme të Evropës, por edhe nga rajoni. Familje dhe grupe të rinjsh kanë zgjedhur këtë zonë për të kaluar pushimet, duke ndikuar edhe në rritjen e aktivitetit të strukturave akomoduese dhe bizneseve lokale.

Ksamil mbetet një destinacion që kombinon detin e pastër, natyrën dhe atmosferën karakteristike të një zone turistike mesdhetare.

Sipas operatorëve lokalë, rezervimet në strukturat akomoduese kanë qenë të konsiderueshme që në fillim të vitit, veçanërisht nga tregjet e Evropës Veriore, Evropës Qendrore dhe Ballkanit, por edhe vende te ndryshme të botës.

Vizitorët po zgjedhin Ksamilin jo vetëm gjatë muajve korrik dhe gusht, por gjithnjë e më shumë në periudhat maj-qershor dhe shtator-tetor.

Ksamil vijon të mbetet një nga pikat kryesore turistike të Shqipërisë, duke tërhequr çdo vit mijëra vizitorë nga vende të ndryshme dh duke luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e turizmit në jug të vendit.

1 nga 10

/k.s/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›