E Martë, 3 Nëntor 2026

Fluks në pikat kufitare, Balla: Komunikova me homologun grek dhe ata të Maqedonisë së Veriut për shtimin e sporteleve

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reaguar në lidhje me fluksin në pikat kufitare në vend. Në Kakavijë dhe Kapshticë ka radhë të gjatë mjetesh që presin të futen në Shqipëri, ndërsa Balla shkruan se shumë bashkatdhetarë dhe turistë të shumtë vijnë në Shqipëri për të festuar Krishtlindjen dhe ndërrimin e viteve.

Ministri bën me dije se situata po ndiqet dhe se ka komunikuar me homologun grek dhe atë të Maqedonisë së Veriut për shtimin e sporteleve dhe punonjësve të policisë në pikat e kontrollit kufitar.

“Gjatë festave shumë bashkëatdhetarë dhe turistë të shumtë vijnë në Shqipëri për të festuar Krishtlindjen dhe ndërrimin e viteve. Po ndjekim orë pas ore situatën në pikat e kalimit kufitar me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut (Kakavijë, Kapshticë, Qafëthanë) ku në momente të caktuara krijohen radhë të mjeteve që presin të hyjnë në Shqipëri kryesisht. Dëshiroj të falenderoj kolegët ministra të Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut përkatësisht Giannis Oikonomou dhe Oliver Spasovski, me të cilët sapo kam komunikuar, për gatishmërinë dhe bashkëpunimin në shtimin e sporteleve dhe punonjësve të policisë në pikat e kontrollit kufitar. Nuk paraqiten vonesa të shumta në pikat e tjera të kalimit me Kosovën dhe Malin e Zi, por vijojmë të ndjekim dhe aty flukset”, shkruan Balla.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›