E Hënë, 2 Nëntor 2026

Fluks pacientësh në urgjencën e Kukësit, shumica e rasteve nga temperaturat e larta

Urgjenca e spitalit rajonal të Kukësit po përballet me fluks të shtuar qytetarësh që kanë nevojë për trajtim mjekësor. Simptomat janë nga më të ndryshmet por rastet më të shumta me shenja helmimi nga ushqimet apo hipertensioni. Gjithçka lidhet me temperaturat e larta të këtij korriku.

Mjeku Emin Ferati, shefi i Urgjencës thotë se  ky fluks është pothuajse gjate 24 orëve.

“Urgjenca është plotë dhe gati në 24 orë është kështu, për shkak të temperaturave të larta. Gjithashtu edhe pediatria ka fluks të shtuar“, u shpreh Emin Ferati, Shefi i Urgjencës.

Mjekët dhe stafi ndihmës janë në gatishmëri. Ferati thotë se nuk ka mangësi as në medikamente e pajisje mjekësore.

“I gjithë stafi është i mobilizuar dhe ilaçet apo serumet janë të mjaftueshme”, tha ai.

Marrë në konsideratë edhe kohëzgjatjen me temperatura të larta, mjeku Emin Ferati thotë se qytetarët duhet të tregojnë kujdes të shtuar gjatë kësaj periudhe.

Mesatarja ditore e rasteve të paraqitura në urgjencën e spitalit rajonal të Kukësit i kalon 120 vizita, një pjesë prej tyre me mjekim ambulator ndërsa një pjesë i nënshtrohen trajtimit më të specializuar në kushte spitalore.

Gazetar: Bujar Muçmata

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›