E Diel, 1 Nëntor 2026

Fluksi i fundvitit, Porti i Durrësit nis lundrimet e dyfishta të trageteve drejt Italisë

TIRANË, 17 dhjetor /ATSH/ Në prag të festave të fundvitit, Porti i Durrësit ka intensifikuar operacionet detare, duke nisur lundrimet e dyfishta të trageteve (vajtje–ardhje brenda ditës) në linjat që lidhin Durrësin me portet fqinje të Italisë.

Duke filluar nga data 18 dhjetor, ky regjim i shtuar lundrimesh synon përballimin e fluksit sezonal të pasagjerëve dhe mjeteve, si dhe garantimin e vazhdimësisë së shërbimit detar në kushte sigurie dhe eficience operative.

Autoritetet portuale bëjnë të ditur se në Terminalin e Trageteve të gjitha strukturat portuale dhe instancat operuese janë në gatishmëri të plotë për menaxhimin e intensitetit të shtuar të lëvizjeve. Paralelisht, po zbatohen masa shtesë sigurie dhe koordinimi operacional për garantimin e një shërbimi të rregullt dhe të sigurt.

Operacionet po zhvillohen normalisht, me fokus në respektimin e orareve të lundrimit, përpunimin në kohë të pasagjerëve dhe mjeteve, si dhe shmangien e vonesave gjatë kësaj periudhe festive.

Porti i Durrësit vijon të sigurojë funksionim të pandërprerë të linjave detare dhe shërbim të qëndrueshëm për operatorët dhe përdoruesit e portit gjatë festave të fundvitit. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›