E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Fol”: Thaçi e ka harruar Kushtetutën

Aktivistët e Lëvizjes “Fol” i kanë përkujtuar Kryeministrit Hashim Thaçi se, në bazë të Kushtetutës së Kosovës, nuk është vetëm ai i vetmi që mund të bëjë emërimet dhe ndërrimet në Qeveri, por se edhe Përfaqësuesi Civil mund të marrë vendime dhe të largojë nga detyra çdo zyrtar publik që rrezikon sundimin e ligjit.

Gjatë publikimit të raportit të verifikimit të deklaratave të zyrtarëve shtetërorë “Matësi i së vërtetës”, Petrit Zogaj nga Lëvizja “Fol” e ka vlerësuar të pavërtetë deklaratën e Kryeministrit Thaçi të datës 5 maj, i cili ka thënë se është ai Kryeministër i Qeverisë së Kosovës dhe emërimet e ndërrimet i bën vetëm në bazë të mandatit të tij kushtetues.

Sipas Zogajt, me këtë deklaratë Thaçi e ka harruar Kushtetutën, e cila specifikon qartë se Përfaqësuesi Civil mund të marrë vendime, të sanksionojë dhe largojë nga detyra çdo zyrtar publik që rrezikon sundimin e ligjit.

“Po ashtu, vendosja e EULEX’it dhe pranisë civile ndërkombëtare në Kosovës është bërë me ftesë të institucioneve të Kosovës në shkurt të 2008. Ndërsa Pakoja e Ahtisaarit, që i jep fuqi ekzekutive shefit të ICO’së, është miratuar me aklamacion në Kuvendin e Kosovës”, tha ai. Lëvizja “Fol” e ka vlerësuar të pavërtetë edhe një deklaratë tjetër të Thaçit, i cili së fundi ka shprehur shqetësimin për mosangazhim adekuat të shefit të ICO’së për Veriun e Mitrovicës, për mosmbështetje të plotë për zbatimin e strategjisë dhe për mbisundim të ligjit në veri.

“Feith është zyrtari i lartë ndërkombëtar që vazhdimisht i ka përkrahur përpjekjet për të vendosur rend dhe ligj në veriun e Kosovës, dhe këtë e ka përmendur vetë zoti Thaçi në disa raste. Prandaj deklarata më e re është hipokrizi e skajshme dhe reagim i pamatur që lidhet krejtësisht me çështjen Limaj”, ka thënë Petrit Zogaj.

E pavërtetë është vlerësuar edhe deklarata e Kryetarit të AAK’së, Ramush Haradinaj, i cili në janar të vitit të shkuar pati paralajmëruar padi në Gjykatën Kushtetuese ndaj Presidentit Fatmir Sejdiu rreth vendimit të tij për zgjedhjet e përgjithshme në vend.

Në “Matësi i së vërtetës” kësaj radhe është futur edhe një deklaratë e Shefit të ICO’së, Pieter Fieth, i cili një ditë para bastisjes së EULEX’it në zyrat e MTPT’së pati thënë se qytetarët do të shohin më shumë hapa që do të ndërmerren, ngase, në të kundërtën, sipas tij, Kosova kurrë nuk do të shënojë përparime në rrugën drejt Bashkimit Europian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›